Nuk është hera e parë! Nuk do jetë as e fundit! Jo prej muajsh por prej vitesh tashmë, një program televiziv po përhap një virus të rrezikshëm, pasojat e të cilit ndjehen sot por më shumë pas disa kohëve. Nuk ka asnjë dyshim se mediat punojnë për audiencë. Përmes audiencës, sigurohen të ardhura të shumta. Reklamuesit, bisneset, janë të interesuar që produkti i tyre, përmes reklamave, të penetrojë në sa më shumë klientë potencialë. Rruga më e mirë, më e shpejtë dhe efikase, është media. Sidomos televizioni, me zë e figurë. Veçanërisht nëse është media kombëtare që shpërndahet kudo përmes dekoderave dhe në mbi 500 mijë abonentë përmes një aplikacioni që po promovohet papushim.
Nuk besoj se ka logjikë tjetër që një emsion në “prime time” vazhdon akoma të lejohet i pacensuruar, i padënuar të transmetohet akoma, fshehur pas emrit “Zonë e Lirë”. “Liria ime përfundon aty ku nis cënohet e tjetrit”, dhe në emër të lirisë së shprehjes, po abuzohet haptas këto kohë. Liria nuk të jep të drejtën të shpifësh, as të “këndosh me libër shtëpie”, as të futesh në “krevatin” e dikujt tjetër. Bota e qytetëruar, i ka përcaktuar me kohë kufijtë e lirisë. Për të vendosur e konsoliduar këto kufinj, kanë “fluturuar” koka mbretërish, presidentësh, kryeministrash e VIP- ash.
Një emsion si “Zonë e Lirë”, të paktën disa rubrika apo tema të tij, nuk duhen lejuar në “prime time”, kur teorikisht e gjithë familja, nga gjyshi tek i porsalinduri, mund të jenë para një televizori. Ekziston telekomanda, mund të thotë dikush. Sigurisht, por sot televizori është në celular, një mjet individual që e ka në dorë çdokush, duke nisur nga mosha kur mund të mbajë në dorë një peshë 100 gram.
Mediat, ato kombëtare e jo vetëm, edukojnë apo duhet të edukojnë përmes shembullit. Shembullit pozitiv, bazuar në një moral i gjithëpranuar si i tillë. Është detyrim, nuk ka asnjë diskutim. Përndryshe, ka orare të caktuara, vendosen shenja dalluese në ekran që paralajmërojnë prindër. Por përsëri nuk është zgjidhje përfundimtare. Celulari na sjell para syve e në vesh, pa mundësi censure, për hir të audiencës e fitimit, çdo gjë. E vetmja zgjidhje është mbyllja, censurimi, në bazë të ligjit por edhe moralit.
Prej kohësh po diskutohet për portalet. Më së shumti, për të ruajtur politikën, politikanët, VIP- at, nga rreziku potencial i shçifjes apo dezinformimit. Për televizionet, asgjë. Ato vazhdojnë të pashqetësuara, shpërndajnë vrer dhe një virus të rrezikshëm, shpërthimi i të cilit ka nisur në formën e një reaksioni zinxhir. Më të rrezikuarit, janë brezi i ri, të gjithë ata që e kanë shok të pandarë celularin. Po indoktrinohen. Përmes shembullit negativ, fjalëve të ashpra deri në të pista, dhunës që kalon me shaka dhe që në fund mbyllet me “na erdhën ato”. Sepse qëllimi kryesor është reklama.
Është fashitur disi por akoma nuk është mbyllur debati për filmat e para vitit 1990. Po diskutohet që të mos lejohet transmetimi i tyre. Për shkak se indoktrinohet rinia, brezi i ri. Dhe për filma, shumica e të cilëve nuk shihen e njihen nga të rinjtë dhe kur ndodh e kundërta, kanë gafe lehtësisht të dallueshme dhe ngjallin edhe të qeshura për “realizimin socialist”. Imagjinoni sa larg janë “efektet anësore” krahasimisht në mes portaleve, filmave “komunistë” dhe programeve si ky që vazhdon të transmetohet në “prime time” e ritransmetohet në nja 3-4 media të tjera. Nëse AMA ka vdekur por nuk është kallur akoma, duhet të japë shenja jete ndonjë strukturë tjetër shtetërore. Dikush duhet të reagojë, sepse kur “të zgjohemi”, me shumë mundësi do të jetë vonë, tepër vonë! Dhe pa zgjidhje, vetëm duke i ndjekur si spektatorë. /Nga Blerti DELIJA/