Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra ka dhënë një intervistë lidhur me pritjen e refugjatëve afganë në Shqipëri. Në një intervist♪7 për Panorama, Massafra kërkon që ata të mikpriten pa interes. Po ashtu, ai ka komentuar edhe situatën e krijuar dhe rreziqet.
Si e shikoni vendimin e qeverisë shqiptarë për të mirëpritur afganët në Shqipëri?
Mendoj se ne jemi gjithmonë të hapur, varet se përse vijnë dhe sa kohë do të qëndrojnë këtu. Si ne shqiptarët që në të kaluarën kanë gjetur strehim edhe 500 vite më përpara në jug të Italisë. Nëse toka jonë është e gatshme për të mirëpritur të tjerët ata duhet të vijnë dhe të integrohen. Nuk e di nëse vijnë për të qëndruar përgjithmonë apo janë kalimthi.
Ne si Kishë Katolike nepërmjet Caritasit jemi duke bashkëpunuar me shtetit për të strehuar dhe ndihmuar mijëra emigrantë që vijnë në Shqipëri. Edhe në fshatin e Paqes, aty pandemia na ka penguar pak sepse i strehojmë njerëzit emigrant që policia na bie dhe ne jemi të gatshëm. Pastaj varet sepse unë nuk futem në gjëra politike se nuk më takon por nëse vijnë duhet që të integrohen për të qenë ose me ne ose të shkojnë ku të dëshirojnë. Si ne shqiptarët që kemi shkuar jashtë dhe na kanë pranuar ashtu duhet t’i pranojmë edhe ne por ata duhet që të integrohen dhe të mos krijojnë probleme dhe të bashkëjetojnë me ne.
E mbështesni vendimin e qeverisë shqiptare për t’i mikëpritur afganët?
Varet përse qeveria shqiptare e ka marrë këtë vendim. Shteti e ka bërë pa na pyetur ne dhe tani nëse janë emigrant që vijnë për të qëndruar është tjetër gjë, nëse vijnë për të pritur që të shkojnë në një vend tjetër janë dy gjëra të ndryshme.
A ka ndonjë rrezik në këtë mes?
Rrezikshmëria ekziston gjithmonë. Si ne që kemi shkuar në Itali edhe këta shikohen se kush janë, a janë njerëz të mirë, a janë njerëz me hile apo a janë terroristë kjo nuk varet prej meje por shteti që merr këto vendime në bashkëpunim me të tjerët dhe duke qenë se janë me mijëra ata që ikin nga Afganistani duhet që të kenë kujdes se kush janë e kush nuk janë.
A i ka Shqipëria kapacitetet për të mirëpritur afganët?
Mendoj se i kemi kapacitetet për t’i mirëpritur. Shpesh herë shqiptarët i shfrytëzojnë për emigrantët. Sa herë që Shqipëria ka pranuar emigrantë, kemi parë makina me shqiptarë që kishin brenda emigrant duke shfrytëzuar për t’i përcjellë jashtë Shqipërisë, ky është një rrezik që kemi, nuk është e drejtë.
Ose duhet t’i pranojmë si duhet dhe duhet të jemi vërtetë mikëpritës. Shpesh herë mikëpritja është vetëm si fjalë por mikëpresim me interes, duhet të mikëpresim pa interes duke shikuar të mirën e vendit tonë por edhe të tjerëve.
Si ju duket debate që po bëhet në Shqipëri rreth kësaj çështje?
Nuk i kam ndjekur se kam qenë në Itali por nuk e di përse është bërë ky hap kaq i nxituar por nëse vijnë duhet të shihet se kush do t’i mbajë e kush do t’i ndihmojë. Shpesh shteti bën kështu, vijnë pastaj ia jep si peshk dikujt tjetër, nuk është e drejtë.
Duhen marrë përgjegjësitë si duhet për të ndihmuar këta që dalin nga një rrezik jete pastaj duhet të vendosen normat dhe ligje të drejta.
Përse është hap i nxituar?
Unë çuditem çfarë ka ndodhur në Afganistan. Vetëm populli hebraik është liruar nga Egjipti pa bërë luftë. Këta kanë hyrë pa bërë luftë dhe menjëherë talebanët janë krerët e Afganistanit. Si ka ndodhur kjo gjë, ka hile poshtë, ka diçka që nuk kuptoj. Unë nuk jam politikan por ka diçka që nuk kuptoj. Vetëm populli hebraik është liruar pa bërë luftë me askend, vetëm me hirin e Zotit. Për këtë në Afganistan nuk e di si ndodhi ashtu.