Zyrtarisht, nga 31 dhjetori “armata” e madhe e të papunëve do të shtohet të paktën edhe me 7900 persona në Shqipëri. Kjo është shifra zyrtare e atyre që punojnë “me rregulla” në pikat e basteve, lojrat e fatit, kazinotë anëkend vendit. Edhe pse, jemi të prirur të besojmë se mund të jetë dyfishi. Në shumicën e lokaleve të lojrave të fatit, për të qenë “në rregull” me shtetin,nuk janë regjistruar më shumë se gjysma e punonjësve. Pjesa dërrmuese madje, familjarë e të afërm të pronarëve. Sidomos kamarierët e banakierët e këtyre lokaleve, të paktën në Shkodër, kanë qenë në masë të padeklaruar.
Megjithatë, të rrimë tek shifra zyrtare, 7900 të punësuar sot, të papunë nga 1 janri 2019. Ministri i Ekonomisë Ahmetaj tha se ka alternativa për këta njerëz. Fillimisht “pagesa e papunësisë” dhe në vijim formim profesional e punësim në hapësirat që ekzistojnë. Për hir të realitetit, ka fronte pune, sidomos në fasoneri, qepje këpucësh, rrobaqepësi etj. Natyrisht, asnjëri prej këtyre profesioneve nuk mund të jetë i përshtatshëm për kategorinë e të papunëve që do të dalin nga pikat e lojrave të fatit.
Nuk ka dyshim se kryeministri e ka për të mirën e popullit, qytetarëve. Edhe kjo nismë, si edhe të tjerat, synojnë “të edukojnë” qytetarët. Ato pak para që mund ti kenë në xhepa, të mosi dorëzojnë tek pikat e basteve me shpresën se fati mund t’iu buzëqeshë duke shumëfishuar në pak orë fitimet. Pak a shumë, si puna e piramidave. Janë të paktë njerëzit që janë kundër mbylljes së bastoreve. Madje edhe “viktimat” e këtij bisnesi, janë shprehur këto ditë publikisht kundër. Përveç vesit, kryeministri synon edhe mbylljen e burimit të financimit të kriminalitetit. Njëri prej burimeve të shumta, kuptohet. Sepse për të ardhurat e gjeneruara, kryeministri ka thënë se “bastoret janë përgjsmuar dhe të ardhurat e vjelura nga shteti, janë shtuar”.
Francën, Gjermaninë por edhe Italinë, kryeministri i ka përmendur si shembuj të mbylljes së këtyre bisneseve në Shqipëri. Madje, ai ka pohuar se lojrat e fatit janë monopol i shtetit. Dhe vertetë ashtu rezulton. Pse nuk synon edhe kryeministri ynë vendosjen e monopolit shtetëror tek lojrat e fatit në Shqipëri? Besojmë se problemi është tjetër. PPP-ja në këtë bisnes mesa duket nuk rezulton i suksesshëm. Partneriteti Publik- Privat, nuk gjeneron rezultatet e duhura për arkën e shtetit. Me përjashtim të bingove, në formën e lotarive publike. Po këto të fundit, pse planifikohet të qëndrojnë? A nuk gllabërojnë edhe ato çdo ditë, javë, muaj milionat e shqiptarëve? A zgjidhet problemi me mbylljen e pikave të basteve apo lojrave të fatit? Jo! Historia njerëzore ka treguar se sa më shumë ta kufizosh lirinë, qoftë edhe për një ves të këtij lloji, aq më shumë stimulohet zhvillimi i tij në mënyrë ilegale. Nga ana tjetër, të ardhurat e shqiptarëve, atyre “të sëmurë” nga bastet, do të kanalizohet tek një drejtim i vetëm.
Po për 7900 të papunët? Sipas gjasave, do ti shtohen “ushtrisë” së atyre që provojnë fatin me para. Aq më shumë, kur njohin edhe “hilet e zanatit”. /Shënim i ShkodraWeb/