“Tetë njëri, tetë tjetri” është formula magjike që thuhet është vendosur në Itali në mes dy partive kryesore të vendit. Flitet që marrëveshja e papublikuar ndonjëherë është nënshkruar nga Nano dhe Berisha në Komunitetin “San Eggidio”. E në fakt, kjo rregullësi është ruajtur nga 1997- 2005 PS, 2005- 2013 PD, 2013- 2021 PS… Sipas gjasave, përveç liderëve kryesorë politikë, këtë “rregull” të pashkruar e dinë të paktën nga niveli i drejtorëve politikë në qarqe, deri tek ministrat e deputetët.
Thuhet se marrëveshja e mësipërme kishte synim ruajtjen e një stabiliteti qeverisës, sidomos pas kolapsit të vitit 1997. Një parti apo koalicion i ardhur në pushtet, ka nevojë për më shumë se 4 vite që të japë rezultat në interes të vendit. Por nga ana tjetër, është thuajse aksiomë në politikën shqiptare konsumimi i hapur në mandatin e dytë. Në harkun kohor 1997- 2005 i famshëm është trinomi “Muçi- Caci- Baçi”, pa llogaritur shpërthiqjen e plotë që nxorri në skenë edhe LSI-në. Mandati i parë i PD-së është konsideruar nga shumëkush si më i miri i një qeverie në Shqipërinë post komuniste, ndërsa mandati i dytë do të mbahet mend për “bllokun 700 mije”, përgjimet e aferave brenda qeverisë etj. Personalisht mendoj se mandati i parë i Ramës mund të kishte qenë më i suksesshëm, sidomos sa i takon infrastrukturës rrugore, veçanarisht nga Veriu e lart. Edhe projekti i tij ambicioz i “1 miliard dollarë”, deri tani nuk ka impakt në këtë rajon, sidomos nëse do të fokusohemi tek Shkodra.
Në krye të vitit të parë të mandatit të dytë, kryeministri Rama e pranon vetë: Disa drejtorë po na nxijnë fytyrën! E kjo deklaratë vjen pasi dy ish- deputetë, njeri në detyrë të lartë shtetërore deri para një muaji, janë prangosur nga policia. Madje, të dy me akuza shumë të rënda: korrupsion duke shfrytëzuar kolltukun e besuar nga Rama dhe përfshirje në trafik droge. Është e qartë se as Rama nuk i shpëton “simptomës” së konsumimit në mandatin e dytë. Dhe kjo, pa folur për ish- ministrin dhe ministrin aktual të brendshëm.
Rregullin e pashkruar “Tetë njëri, tetë tjetri”, e dinë edhe “të tjerët”, të cilët është e qartë se tundohen nga dëshira njerëzore për të fituar disa para më shumë për “ditët e vështira të opozitës”. Për vete, por edhe për partinë. E kështu, çdo mjet që përdoret, justifikohet nga qëllimi e siç thuhet në Shkodër e përtej, “mu..i bëhet mullar”. Siç në fakt ka nisur.
Është e qartë se ka nisur numërimi mbrapsht edhe i qeverisjes Rama. Pavarësisht dëshirës apo edhe eksperiencës 11- vjeçare në krye të Bashkisë Tiranë, Rama do ta ketë të pamundur të kapërcejë 2021- in. Kjo është e sigurtë! Bazuar jo vetëm në rregullin e famshëm, por edhe konsumimin e frikshëm- tashmë të pranuar edhe nga vetë Rama me “drejtorët që po na nxijnë fytyrën”. Edhe në këtë rast, rotacioni në Shqipëri nuk do të vijë për meritë të opozitës por për shkak të shpërthiqjes së mazhorancës. Ajo që mbase me të drejtë mund të synojë Rama, është mbajtja e Bashkisë së Tiranës me Erion Velinë por edhe e PS-së, duke patur si “burim qendrese” në opozitë pikërisht këtë segment të qeverisjes vendore. Por edhe mbajtja e timonit të PS-së duket e vështirë. Në 2021-in Rama do ti afrohet çerekshekullit në politikën e lartë shqiptare dhe natyrisht, do të preferohet më shumë në PS në rolin që sot Berisha ka në PD. /Shënim i ShkodraWeb/