Nuk ka asnjë rrugë por vetëm një shteg të ngushtë. Palët kanë nisur të ecin përmes tij dhe takimi është i pashmangshëm. Në gjuhën e zakonshme, quhet marrëveshje. Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Më saktë, janë të dënuar për marrëveshje.
Në politikën shqiptare të 30 viteve të fundit, marrëveshjet politike kanë qenë të shpeshta. Madje edhe mes vetëm dy individëve. Më “të spikaturat”, ajo e vitit 2008 Rama- Berisha dhe ajo e 2017- ës Rama- Basha.
Këtë herë, një marrëveshje e mundshme nuk mund të jetë më në mes dy personave por në mes dy palëve. Basha këtë herë, ka në krah Kryemadhin dhe të paktën 5 drejtues të tjerë të partive opozitare. Rama duket më komod, sepse është i vetëm dhe fuqiplotë në krye të Rilindjes apo PS-së.
Mesazhet që vijnë nga Perendimi janë të qarta. Ndoshta për herë të parë, një marrëveshje e mundshme nuk do të ketë “garant” apo “tutor” ndërkombëtar. Kërkohet që institucionet të funksionojnë dhe të gjejnë zgjidhje për krizën shumë të rëndë, unikale, në 30 vite. Këtë e pohoi i fundit Philip Reeker i SHBA-së. Përveç deklaratave pro apo kundër palëve, pasuruar me paragrafë që mund të lexohen, kuptohen e kumtohen në disa mënyra, as nga Europa nuk është treguar i gatshëm asnjë faktor për të ndërmjetësuar. Ndoshta mund të ndryshojë diçka me ndërtimin e institucioneve të reja të BE-së pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Shqipëria ka përpara një sfidë të rëndësishme siç është mundësia e çeljes së negociatave për në BE. Natyrshëm, kjo është përtej interesave politike të dy personave apo dy partive por nga ana tjetër, kriza aktuale është një pengesë e madhe për një vendim pozitiv për çeljes së negociatave. Kriteri politik është më i rëndësishmi në të gjithë kuadrin e kritereve që duhen përmbushur.
Jo vetëm duhet të ketë një marrëveshje politike brenda një afati shumë të shkurtër kohor, por edhe të nisë të vihet në zbatim me urgjencë që vendimmarrësit për fatet europiane të vendit tonë, të shohin “lëvizjen” në drejtimin e duhur.
Përpara çeljes së negociatave, ia vlen të sakrifikohen zgjedhje vendore, politike, reforma zgjedhore madje…edhe ajo e drejtësisë. Të paktën në perceptimin e gjërë qytetar. Çelja e negociatave, sjell përfitime të dukshme, të menjëhershme jo vetëm për ekonominë e vendit, jo vetëm për të drejtat e shqiptarëve, por ndryshon qasjen e institucioneve europiane për ato shqiptare, duke rritur monitorim- kontrollin në një nivel tjetër.
Mungesa e një ndërmjetësi ndërkombëtar, është edhe një test i rëndësishëm për pjekurinë e politikanëve shqiptarë, të cilin nëse nuk e kalojnë në pavarësinë e tyre vendimmarrëse, në tetor mund “t’i hapin krahun” Maqesonisë së Veriut. /Nga Blerti DELIJA/