Në kulmin e “reformës në drejtësi”, gjykatat shqiptare vazhdojnë të demonstrojnë lëngatën në të cilën gjenden edhe sot. Brenda 48 orëve, për të njëjtën çështje, e njëjta gjykatë por dy gjyqtarë të ndryshëm, merr dy vendime të ndryshme. Në mes nuk është diçka e parëndësishme, vjedhja e ndonjë lope, gomari apo viçi por fati i një bashkie të tërë siç është ajo e Durrësit. Pas Tiranës, të gjithë bien dakort se është më e rëndësishmja në këtë vend.
Me datë 17 korrik, një gjyqtare e quajtur Mimoza, vendosi “Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës.”. Pa u mbushur 48 orë, një gjyqtar i quajtur (rastësisht) Shpëtim merr një vendim totalisht të ndryshëm “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës.”.
Edhe më injoranti në jurisprudencë e kupton qartë se njëri nga të dy është për burg. Por jo! Në këtë rast, futet në lojë “bindja” (jo ajo e Patozit) e gjyqtarit lidhur me çështjen. Ndryshimi i vetëm është tek pala që ka depozituar kërkesën në gjykatë: Valbona Sako kryebashkiake e votuar me 30 qershor u rrëzua ndërsa PS-ja si subjekt që e ka propozuar, miratohet. Kështu që, subjekti politik i bën dhuratën e dytë kryebashkiakes pasi e kandidoi: I fut në xhep edhe mandatin!
Të jeni të sigurte se asnjëri nga gjyqtarët, Mimoza apo Shpëtimi, nuk do të bëjnë burg. Por interesante do të jetë qasja e tyre ndaj “vetting”-ut (nëse nuk e kanë kaluar akoma). Njëri nga të dy, ka marrë vendim të gabuar sepse të dy nuk mund ta kenë të drejtë për të njëjtën çështje me qëndrime diametralisht të kundërta. Edhe pse, të dy gjyqtarët i referohen të njëtit ligji në vendimmarrjet e tyre, 139/2015.
Përtej kësaj, mund të bëjmë një hamendesim të anshëm, Mimoza mund të jetë më e rrezikuar se Shpëtimi para “vetting”-ut por…mbetet për tu parë.
Në fund, edhe një propozim modest. Tani e tutje, do të ishte mirë të ndryshohej edhe emërtesa e gjykatave në vend, duke nisur nga ajo e Durrësit. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës Mimoza” dhe “Gjykata e e Rrethit Gjyqësor Durrës Shpëtimi”, edhe pse nuk tingëllojnë bukur janë reale. E durrësakët (edhe shqiptarët) rrinë e vështrojnë e presin…drejtësi! /Shënim i ShkodraWeb/
P.S. Sot nuk po merremi me pjesë juridike sepse gjithsesi…nuk vlen!