Po mbushen 24 orë që një artikull i publikuar nga ShkodraWeb për arrestimin e ish- drejtuesve, mjekëve e infermierëve të Laboratorit të Hemodinamikës, po lexohet e shpërndahet masivisht. Deri në këto momente, është shpërndarë përmes Facebook mbi 70 herë.
Tek artikulli në fjalë, me titull “E verteta e arrestimeve të mjekëve në Shkodër, kolegët e dinë por nuk e thonë dot…” jepen disa të dhëna që ShkodraWeb i ka siguruar nga mjek dhe punonjës të Spitalit Rajonal të Shkodrës, të cilët për arsye që ata i dinë vetë (dhe ne i mirëkuptojmë sigurisht), nuk munden ti bëjnë publike.
Shkrimi në fjalë, të cilim mund ta lexoni këtu, jep indicie për disa nga arsyet, që gjithmonë sipas burimeve të mësipërme, kanë sjellë një veprim të paprecedent nga Prokuroria e Shkodrës. Kjo për një çështje, që minimalisht kërkon një ekspertizë profesionale të thelluar nga specialisrë të fushës. Natyrisht, qëllimi i publikimit të artikullit nuk ka qënë atakimi i Prokurorisë por përcjellja e një versioni të ngjarjeve që në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe jo vetëm, qarkullon prej rreth 6 muajsh. Por, qarkullon nën zë. Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa i kemi dhënë zë një ngjarje, e cila mendojmë se përbën interes publik.
Nuk e prisnim që artikulli të kishte jehonë të tillë të themi të vertetën. Madje, edhe reagimet kanë qenë të shumta. Siç është e kuptueshme, pro dhe kundër asaj çfarë thuhej në artikull. Synimi i këtij sqarimi nuk është për të thënë keni bërë mirë apo keq. Por thjesht për të thonë disa gjëra.
E para, mjekët dhe punonjësit e Spitalit Rajonal Shkodër, që kanë dhënë informacionet e publikuara nga ShkodraWeb, të rrinë të qetë: Në asnjë rrethanë, për asnjë arsye, as edhe të detyruar nga një vendim gjykate, ShkodraWeb nuk do të tregojë burimet e informacionit. Është një parim që e kemi mbështetur dhe zbatuar fort që në ditën e parë të ekzistencës sonë. Madje, kjo vlen edhe për ata mjekë që janë penduar që kanë folur apo edhe për të tjerë që në mllef e sipër me kolegët e arrestuar, mund të kenë postuar diçka për të cilën janë penduar…
E dyta, për ata që kanë një opinion por “pa dashje” e shprehin me fyerje, sharje dhe natemime të ndryshme, i japim mundësinë ta publikojnë në ShkodraWeb. Kriteret e vetme janë ato të gjuhës shqipe (që i marrim përsipër ti zbatojmë ne mbi tekstin që do të sillni), ruajtja e etikës dhe kulturës së komunikimit dhe, nëse do të keni dëshirë, të vendosni edhe emrin në fund. Edhe nëse nuk e vendosni, mund ta publikojmë anonim, duke mirëkuptuar “frikën” për të dalë publikisht për këtë çështje…
E treta, ne vazhdojmë të grumbullojmë informacione edhe në këto minuta që po shkrujmë këto rradhë. Mirëpresim bashkëpunimin e çdokujt dhe shumë shpejt besojmë se do të ketë edhe informacione të tjera lidhur me këtë temë.
E fundit, asnjëri nga antarët e redaksisë së ShkodraWeb fatmirësisht deri tani, nuk kanë probleme kardiake që t’i mbajmë anën mjekëve, infermierëve apo farmacistëve të Laboratorit të Hemodinamikës në Shkodër. Besojmë se po bëjmë thjeshtë detyrën tonë, me mundësitë modeste që kemi, duke përcjellë mendimin e dikujt/disave që nuk munden të flasin.
E për ta mbyllur, nuk kemi pasë, nuk kemi dhe nuk do të kemi pozicionime për çështje të ndryshme me interes publik, nisur nga ngjyra partiake. Siç nuk kemi përdorur e nuk do të përdorim hapësirat tona për të lavdëruar/sulmuar/denigruar individë, qofshin të veshur me pushtet apo të zhveshur nga çdo pushtet.
Kemi edhe një kujtesë. Nuk mund të na mbyllin gojën, as për këtë temë as të tjera që mendojmë se mund t’i publikojmë dhe ti çojmë përpara. Kemi të drejtën tonë të flasim dhe të ngrejmë zërin lirshëm, siç e gëzon çdokush në këtë vend. Por varet nëse dëshiron ta ushtrojë këtë të drejtë. Ne këtu jemi dhe ofrojmë hapësirën tonë. Nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi nevojë për mbrojtje, për ata që janë të shqetësuar. Po të kemi, i’a kërkojmë vetëm institucioneve të shtetit, tek të cilat deri më sot, nuk kemi arsye të mos besojmë. Kaq tani për tani. Mirëulexofshim! /ShkodraWeb/