ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

E verteta e arrestimeve të mjekëve në Shkodër, kolegët e dinë por nuk e thonë dot…

Në një nismë të paprecedent deri tani, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar policinë për arrestimin e 9 personave- 2 prej të cilëve në kërkim, ish- drejtues, mjekë dhe farmacistë të Spitalit Rajonal të Shkodrës. Akuza është shpërdorim detyre, duke cituar dy shuma, në total rreth 57 milion lekë të vjetra. Detajet janë dhënë, për aq sa lejon faza hetimore e tanishme, nga Prokuroria e Shkodrës. Në syrin e ciklonit është laboratori i Hemonidamikës, i cili në fund të gushtit 2016, nisi punën në Spitalin e Shkodrës. Koronarografia e realizuar nga mjekët, në përbërje të të cilëve edhe Luan Dragusha, ishte lajm i mirë që mbushi mediat shqiptare. Një nga analizat më delikate dhe pse jo- edhe të rrezikshme të zemrës, mund të realizoheshin në një spital periferik, pa patur nevojë të udhëtohet drejt Tiranës në QSUT apo edhe spitale të tjera private.

Laboratori i Hemodinamikës në pak kohë, u kthye në një pikë referimi falë punës së gjithë stafit, e sidomos Luan Dragushës që erdhi nga Amerika në vendlindje. Jo vetëm nga Shkodra, por edhe jashtë saj e madje jashtë Shqipërisë, ishin me qindra pacientët që vinin për koronare në Shkodër. Ka edhe një statistikë tjetër, e cila e bëri këtë laborator të njohur, përveç talentit të Dragushës, gjë që e pranojnë edhe kolegët e tij të njohur në Tiranë. Koronaret, janë një analizë, ekzaminim për zemrën, por edhe me rrezikshmëri të lartë. Mund të sjellë komplikacione, deri edhe në humbje jete. Në Laboratorin e Hemodinamikës në Shkodër, suksesi ka qenë maksimal, 100%, pa asnjë kompliacion të rëndë për pacientët.

Nuk kemi arsye të kërkojmë tek mjekët engjëjt, të cilët në fakt nuk i gjejmë në asnjë kategori të shoqërisë shqiptare. Nuk kam ndëmend ti marr në mbrojtje, edhe pse disa nga personat e arrestuar, për shkak të profesionit, i kam njohur nga afër. Por kemi detyrimin të themi ne, ato gjëra që edhe kolegët e të arrestuarëve nuk i thonë dot, edhe pse në fakt i dinë.

Historia e këtij hetimi ka nisur para më shumë se dy muajsh. Në qarqe gazetarësh por edhe qarqe të tjera, diskutohej për një hetim të tillë me në qendër Hemoninamikën e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Madje, ata që sot janë pas hekurave, ishin të qetë, duke dhënë shpjegimin që sot edhe dhanë kolegët e tyre në një deklaratë për shtyp dhe që teknikisht, ata që njohin këtë procedurë, i bind. Përtej kësaj, ajo që pritej, ishte paralajmëruar ndodhi. I gjithë Laboratori i Hemodinamikës, përfundoi pas hekurave. Në parantezë, nuk do të kalojnë sjumë ditë dhe të gjithë do të dalin ketej hekurave. Fillimisht mbase në arrest shtëpie, më pas gjykim në gjendje të lirë dhe në fund…mbyllje e çështjes pa të dënuar. Qofta i gabuar, por mbajeni shënim.

Pakënaqësi për ndërtimin e stafit dhe vetë Laboratorit të Hemodinamikës në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ka patur edhe nga brenda. Dikujt/ disave, që mjekët i njohin mirë, nuk u ka pëlqyer që Luan Dragusha u vu në krye, ndërtoi stafin dhe nisi punën e suksesshme. Por këtë mjekët nuk mund ta pohojnë para mediave. E dyta, që nga nisja e punës Dragusha është përballur me vështirësi të shumta, të cilat i’u lehtësuan disi nga ish- drejtuesit e spitalit që sot janë pas hekurave me të. E treta, më shumë se një herë, Dragusha është “këshilluar”, sidomos kur talenti i tij i solli suksesin që mbase dikush/ disa nuk e prisnin kaq shpejt dhe në këto nivele. Para pak më shumë se një muaji, Dragusha është “këshilluar” duke i kujtuar se një spital privat i njohur për ndërhyrje në zemër, ka pësuar një rënie të ardhurash në rendin e 1 milion dollarë. Vetëm këmbëngulja e disa miqve, kolegëve e të njohurve e mbajtën Luan Dragushën pa i hipur avionit për t’u kthyer në Amerikë. Edhe këtë fakt, mjekët e spitalit të Shkodrës e dinë, por nuk mund ta thonë.

Laboratori i suksesshëm i Hemodinamikës në Spitalin e Shkodrës, duhej ndalur. Rruga e vetme kishte mbetur ajo që u vu në zbatim mbrëmë. Nuk dua t’a besoj se Prokuroria është përdorur për interesa të një spitali privat në vend. Por mendoj se i janë servirur të dhëna, indicie bindëse për të ndërmarrë atë që të gjithë e dimë.

Në gjithë këtë “mesele”, ka shumë të humbur, sidomos nga pacientët e sotëm dhe të nesërm që mund të kenë nevojë për koronare dhe të tjera ekzaminime zemre. Laboratori i Hemodinamikës, do të shkojë drejt mosfunksionimit të plotë. Luan Dragusha, sapo të mbyllë “hesapet” me drejtësinë, do të fluturojë larg Shkodrës, edhe në Afrikë por nuk do të qëndrojë më në vendlindje. Edhe stafi i krujuar nga ai, do të ndjekë të njëjtën rrugë, me eksperiencën e krijuar. A ju kujtohet Reparti i Dializës në Shkodër? Pak a shumë do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Hemodinamikën. Sepse në Shkodër janë realizuar koronare edhe me vetëm 4 mijë lekë të vjetra, për persona që kanë qenë të siguruar. Në disa raste, edhe “kafe” nën dorë për stafin, por më shumë nga dëshira e vetë pacientëve bashkuar me suksesin e ndërhyrjes nga Dragusha dhe stafi i tij. Por në asnjë rast, si kusht për të kryer detyrën. Pyesni pak në QSUT apo spitale private sa kushton ky lloj ekzaminimi…

Po e mbyll me një parashikim. Nuk do kalojë shumë kohë dhe në Shkodër do “të mbijë” një spital privat i specializuar në ndërhyrjet në zemër. Madje, shumë pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës. Po pritet që Laboratori i Hemodinamikës “të japë shpirt”. Uroj të jem i gabuar në këtë parashikim. Me gjithë zemër, sepse do të doja që për të gjithë nevojtarët, të vazhdojë shërbimi publik, aq më shumë kur në dy vite jetë ka rezultuar shumë i suksesshëm. /Shënim i ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.