
Ditën e djeshme (e hënë) ShkodraWeb hapi një sondazh lidhur me emrin që duhet të ketë kinemaja e vetme e Shkodrës, e cila nga administrimi privat, pas rreth viteve, kaloi në administrimin e Bashkisë Shkodër.
Duhet thënë se interesimi ka qenë mjaft i madh për të dhënë opinion për emrin e kinemasë, e cila përveç rikonstruksionit, është bërë edhe “mollë sherri” debatesh në rrjetet sociale për ngjyrën e fasadës.
Sigurisht, nuk kanë munguar as batutat dhe humori, në disa raste edhe pa shumë etikë nga komentuesit. Por ajo që ka dalë e qartë, është vullneti i pjesëmarrësve në sondazh për të rikthyer emrin e vjetër të kinemasë.
Kanë dhënë përgjigje të qartë, lehtësisht të identifikueshme të preferencës pjesa më e madhe e pjesëmarrësve dhe emri më i preferuar për kinemanë është “Republika”. Për këtë emër kanë votuar mbi 53% e pjesëmarrësve.
Emri i dytë i preferuar është “Shkodra” me mbi 27% të preferenca. Emri i tretë i preferuar është “Rozafa” me rreth 20% të preferencave të pjesëmarrësve në këtë sondazh online.
Ka patur edhe ide të tjera për emra aktorësh, artistësh por këto tre variante kanë qenë më të mbështeturit.