Bëhuni gati të jeni dëshmitarë të një stine të re në drejtësinë shqiptare! Është paralajmëruar një fluks i madh padish për shpifje nga ana e kryeministrit të vendit por edhe numrit dy të mazhorancës. Jo vetëm kaq! Një ligj i posaçëm pritet të miratohet për të rregulluar procedurat që duhet të ndjekin jo vetëm eksponentët e mazhorancës, por edhe organet e drejtësisë për raste të tilla. Madje, shefi i qeverisë ka njoftuar edhe ngritjen e Fondit të Edukimit, i cili do të krijohet pikërisht nga paratë që do tu merrem shpifësve nga paditësit, sepse të parët “nuk meritojnë supën e burgut”.
Për shpifësit, ëhtë lajm i mirë. Nuk do të dërgohen prapa hekurave, thjeshtë do të paguajnë. Pritet që detajet të mësohen me ligjin që mazhoranca do të depozitojë në Kuvend, për të dribluar mungesën e 84 votave për ndryshime në Kodin Penal apo Civil.
Përcaktimin nëse një akuzë është apo jo shpifje, do ta ketë në dorë gjykata. Natyrisht, pasi prokuroria ta dërgojë çështjen aty. Në konfigurimin aktual të Organit të Akuzës, mund të parashikohet lehtësisht se pjesa dërrmuese e padive të mazhorancës ndaj opozitës, do të dërgohen para gjykatës. Hipotetikisht, janë rreth 85-90 deputetë e ministra të kësaj mazhorance, që pritet ti japin “punë” gjykatave. Por të llogarisësh zëvendësministra e drejtorë drejtorishë, “ushtria e paditësve potenciale”, rritet të paktën me dyfishin e numrave më sipër.
Sistemi aktual gjyqësor në Shqipëri, aktualisht është mjaft i avashtë. Kohëzgjatja e gjyqeve nis nga muajt e kalon dekadat, si për shembull për çështjen e pronave. Një fluks i tillë hipotetik në gjykata, do të ndikojë në zgjatjen edhe më shumë të këtyre afateve. Mbase do i’a vlente të ngrihej një gjykatë apo seksion special për shpifjen, me një trupë që merret ekskluzivisht me këto padi në gjykatë. Sepse, përveç atyre subjekteve që përmendëm më sipër, loja “padit për shpifje” do të hapet edhe në nivel lokal, edhe ndaj mediave e gazetarëve me patjetër.
Çdo akuzë e mundshme politike ose jo, nuk ka asnjë shans të mirëpritet nga askush, edhe nëse mbështetet në prova evidente. Pra, do të kundërshtohet nga i akuzuari dhe fap…në gjykatë. Padia e rradhës, për çështjen e rradhës. Kështu, do të nisin nga zyrtarët e thjeshtë vendorë, deri tek kryeministri i vendit që shumë mirë mund ta kthejnë në “sport” depozitimin e padive, me synimin “e lartë” të mbushjes së Fondit të Edukimit. E kështu, një kohë jo të vogël që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, politikanët apo stafet e tyre, përveç se në Facebook, do të duhet ta shpenzojnë dyerve të gjykatave.
Personalisht, kam qenë, jam e do të jem kundër shpifjes. Por, a më gjeni dot një ekspert gazetarie apo komunikimi në Shqipëri që mund të bëjë dallimin e paanshëm në mes një opinioni dhe një shpifje? Për shembull, në një studio televizive një eksponent i opozitës, mund të bëhet përcjellës i perceptimit qytetar apo ndonjë sondazhi dhe të shprehet: “Nga kryeministri, deri tek kryetari i bashkisë, janë të gjithë të korruptuar, marrin para, favorizojnë nepotizmin, kanë lidhje me krimin etj…”. A është opinion apo shpifje? Këtë duhet ta ndajë gjykata sepse akuzuesi thotë është përceptim ose rezultat sondazhi popullor, ndërsa i akuzuari e quan…shpifje.
Por nga gjithë kjo zallamahi e pritshme, mund të na shpëtojë (si gjithmonë) opozita: Të mbyllë gojën! Ose, të mos akuzojë me emra e poste, por në “parim”. Sepse po na hapin telashe edhe ne gazetarëve që na kërkohet të verifikojmë në dy burime të pavarura nëse deklarata e një politikani të opozitës që ne publikojmë, është e vertetë ose jo?! Edhe pse, kryeministri por edhe eksponentë të tjerë të mazhorancës e dinë shumë mirë se të paktën që nga koha e Lekës (jo Meksit) “lajmësi nuk preket”.
E në fund, pak rreshta për “rrezikzezët” e togave të zeza që do të duhet të ndajnë se kush është shpifje e kush jo! Ata po kanë halle pa fund me vetting- un që u rri si shpatë mbi kokë. Edhe kur i shpëtojnë KPK-së, përfundojnë në KPA. Por ky do të ishte telashi më i vogël për sot. I druhen më shumë edhe “të nesermes”. Teorikisht të paktën, ai që sot është në opozitë, nesër do të jetë në qeveri dhe shumicë në parlament, mbase mund të sajojë ndonjë reformë tjetër në drejtësi apo ta zhbëjë këtë të ka aktualisht. Sidomos, nëse sëmundja e “timonit” bëhet më e thellë..
E në këtë panoramë, Shpifja po kthehet në kult! Si mëkat, por edhe si virtyt… /Nga Blerti DELIJA/