Sot jemi në mes të revolucionit virtual. Janë të rradhë shqiptarët këtej e andej kufirit që nuk kanë një llogari në Facebook. Të paktën ata që kanë një “telefon të zgjuar” apo një kompjuter në shtëpi. “Epoka digjitale e internetit” ishte synim i politikës sonë që nga 2005- a, por mesa duket është penduar. Të paktën njëri krah. Mbase nuk ishte parashikuar një penetrim kaq i shpejtë i internetit, paralel me rritjen globale të Facebook. Tani duhen mbyllur disë gojë. Më saktë, disa faqe të Facebook. Nëse deklaratat politike bëhen në seli partiake e amplifikohen “live” nga mediat tradicionale (dhe jo vetëm), personazhe të tjera shfrytëzojnë ekskluzivisht këtë rrjet. Shembull? Sali Berisha!
Sot ai është thjesht si një nga 140 deputetët e vendit, natyrisht edhe ish- kryeministër, ish- president, ish- kryetar PD-je e Opozite…por gjithmonë një ish. Por paraprakisht, ai është një qytetar shqiptar, i cili ka një faqe në Facebook, të cilën ka të drejtë ta përdorë si të ketë qejf. Në limitet që lejon Marku i Facebook. Po sikur Sali Berisha të mos ishte as deputet? Pra, të ishte zyrtarisht jashtë politikës së lartë. Çfarë do të ndryshonte? Ta zëmë se Berisha do të ishte thjesht një qytetar, me mbi 1 milion ndjekës që jeton jashtë Shqipërisë. A do të ishte normale të akuzohej për shpifje, qoftë edhe duke përdorur “qytetar dixhital”?
Sipas gjasave, Sali berisha siç e njohim të gjithë sot, të hënën do të paditet në prokurori. Sepse ka publikuar diçka në faqen e tij Facebook. Akuzohet se ka shpifur. Më saktë, mund të akuzohet. Mendoj se më mirë do të ishte ti kërkohej Markut të Facebook ta penalizojë Berishën. Natyrisht, ata që vetë duan ta padisin në gjykatë. Ose, të angazhojnë mbështetësit politikë që ti bëjnë “report” Berishës. Por kjo nuk do të kishte shumë impakt publik. E para, sepse të gjitha njoftimet e deklarimet e atij që kërkon të padisë Berishën në gjykatë, bëhen përmes…Facebook. Pra, kjo platformë është shndërruar në fushë- betejë politike shqiptare. E dyta, nuk do të kishte të njëjtin impakt publik thjeshtë mbyllja e një faqeje në Facebook, siç edhe kalimi i procedurës në duart e drejtësisë reale.
Tani të merremi pak me anën tjetër, ata që janë publikisht kundër shpifjes, qoftë edhe në Facebook. Ata po vënë në dyshim vetveten në fakt. Kërkojnë që mediat të provojnë në të paktën dy burime, vertetësinë e deklaratave të politikanëve në rrjete sociale. Më konkretisht, Berisha publikon diçka në Facebook, cili mund të ishte burimi tjetër për të vertetuar nëse Balla ka lidhje me krimin ose jo? Natyrisht, vetë Balla. Por ky i fundit, a ka gjasa ti japë të drejtë Beishës? Ka aq gjasa sa të bjerë shi i kuq tani që po shkruajmë. tëherë çfarë mbetet? Ti drejtohemi Policisë së Shtetit. Kjo e fundit, fatkeqësisht vazhdon të jetë e politizuar, nga 1944 e deri më sot. Natyrisht, do të jetë në krah të shefit politik të rradhës. E çfarë duhet të bëjë media e gjorë? Ka dy rrugë. E para, të mos publikojë asnjë deklaratë politike që mund të merret si shpifje nga pala tjetër. Edhe kjo, një sipërmarrje e vështirë sepse çdo deklaratë politike është marrë fillimisht si shpifje nga pala tjetër. I bie që asnjë deklaratë politike të mos publikohet. Madje as ato nga foltorja e Kuvendit, edhe ato mund të konsiderohen shpifje, por me një ndryshim: shpifje institucionale parlamentare! Rruga e dytë, më logjikja, të publikojë pa censurë të gjitha deklaratat, nga çdo krah që vijnë.
Deklaratat politike të opozitës janë shpifje, po ato të mazhorancës a mund të konsiderohen shpifje? Sa mundësi ka që të verifikohen nga dy burime të pavarura deklaratat e qeverisë dhe deputetëve të saj? Po aq sa edhe ato të opozitës. Atëherë si i bëhet? Duhet ta bëjë vetë klasa politike. Të mbyllë Edi Rama faqen e tij me mbi 1 milion ndjekës në Facebook. Të japë ai i pari shembullin dhe pas tij, të gjithë eksponentët e qeverisë e mazhorancës. Më pas, të kërkojë nga kolegët e opozitës të njëjtën gjë. Në vijim, të dy palët bashkë ti kërkojnë Markut të Facebook por edhe “markëve” të tjerë të rrjeteve sociale, të mbyllin faqe- profilet e të gjithë politikanëve shqiptarë. Nëse Marku nuk pranon, të pengojë Facebook në Shqipëri. Por më parë, në krye të herës, politika jonë e 28 viteve duhet të japë llogari reale për mashtrimet (jo shpifjet) për Shqipërinë e shqiptarët, të përforcuara në fakt edhe përmes shpifjeve rregullisht një herë në 2 apo 4 vjet, sa herë ka zgjedhje.
Duket çmënduri e? Natyrisht, sepse e gjithë klasa jonë politike është për çmendinë! Në të gjithë botën lufta po bëhet për “fakenews”, një farësoj shpifje alla- shqiptarçe. Por askush nuk po drejton gishtin nga rrjetet sociale si fajtore, portalet apo mediat tradicionale duke kërkuar mbylljen. Por ne jemi një politikë të fejsbukëzuar tashmë, një politikë totalisht virtuale që qytetarët i konsideron shifra, numra, IP dhe statistika. /Shënim i ShkodaWeb/