“Derisa vdekja të na ndajë”. Duket se shqiptarët nuk po i qëndrojnë besnikë kësaj shprehje në vitet e fundit. Mjafton t’u hedhim një sy shifrave të përllogaritura nga INSTAT, 31 divorce në 100 martesa në vitin 2016. Po pse po ndodh kjo? Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore. Divorcet janë të shtrenjta për palët e përfshira dhe ky proces ka edhe implikime në ekonominë e një shteti. Në studime të fundit ndërkombëtare, janë gjetur lidhje mes normës së divorceve dhe ekonomisë së shëndetshme. Me divorcin vjen nevoja për një shtëpi tjetër (në rastin konkret me qira), burim energjie dhe ujë, kosto transporti dhe shpenzime të tjera. Duhen pasur parasysh edhe pagesat për kujdesin e fëmijëve (në rast se ka) pas divorcit, pagesa për bashkëshorten (e rënë dakord në gjykatë apo edhe sipas ligjit të ndarjes së pasurisë), si dhe sistemi i sigurisë sociale (në rast lëshim urdhri mbrojtje, strehimi i një ish-bashkëshorteje nga shteti etj.
Avokate Denisa Daka tregon për “Monitor” se divorcet në Shqipëri kanë një kosto të konsiderueshme, jo vetëm për partnerët që kërkojnë zgjidhjen e martesës, por edhe për shtetin. Faktori kryesor për këtë, në shumicën e rasteve, është paaftësia ekonomike e bashkëshortëve që të paguajnë pensionin e caktuar për fëmijët dhe kjo bën që gratë, në këtë rast, t’i drejtohen shtetit për ndihmë. Një tjetër faktor që lidh drejtpërdrejtë divorcin me ekonominë e shtetit është rritja e numrit të të papunëve. Në rastin konkret, pas divorcit, gruaja në shumicën e rasteve, duke u cilësuar e papunë, u drejtohet zyrave të shtetit për ndihmë.
Psikologe Redina Balla, pohon se në muajt e fundit, në dyert e gjykatës rasti i divorceve ka arritur edhe 15 në ditë. Sipas saj, procesi i shkurorëzimit është i gjatë dhe i kushtueshëm. “Nis me 3 mijë lekë kërkesëpadia për divorc, vijon me punësimin e avokatit dhe në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, me nevojën e ekspertit psikolog, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata”, – tregon znj. Balla. Ekspertja psikologe shton se ky është vetëm hapi i parë dhe pas divorcit ka pasoja më të mëdha, të cilat rëndojnë kryesisht mbi femrën. Ajo tregon se një pjesë e madhe e femrave janë privuar nga edukimi dhe shkollimi. Përballë situatës që do të jetojnë vetëm, ato bëhen barrë e familjes së tyre (prindërve), të cilët në zona rurale janë kryesisht me pak të ardhura, duke thelluar kështu varfërinë.
Në rastet e divorceve ku shkaku ka qenë kumari, ekspertja pohon se kanë qenë të shumta gratë që kanë marrë edhe kredi për të shlyer borxhet e bashkëshortit.
Kjo gjë i ka prekur shumë financiarisht më pas, në kushtet kur pagat janë të ulëta.