Shënohet rasti i parë i koronavirusit në Vatikan, Papa s’është parë në publik që të dielën, çfarë po ndodh…?!

Vatikani është mes vendeve si Serbia, Slovakia dhe Kameruni, që sot, e premte, kanë raportuar rastet e para të të prekurve në këto shtete me koronavirus. Një pacient rezultoi pozitiv në testet për COVID-19 të enjten në klinikën shëndetësore të Vatikanit, tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni për AFP, pa dhënë më shumë detaje.


Klinika brenda qytetit të vogël ku jetojnë rreth 450 banorë do të pastrohet në mënyrë urgjente, por salla e Urgjencës do të mbetet e hapur, tha Bruni, i cili lajmëroi se Vatikani ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mbrojtur qindra priftërinj dhe banorë.

Vatikani ndodhet në mes të Italisë, e cila po lufton me shpërthimin më vdekjeprurës jashtë Kinës, të koronavirusit, me 148 persona deri tani të vdekur që para dy javësh, kur virusi shënoi të prekurit e parë dhe me mbi 3,800 qytetarë të infektuar.

Klinika e Vatikanit përdoret nga priftërinjtë, banorët dhe punonjësit – përfshirë ata që tani dalin në pension – si dhe të afërmit e tyre. Shumica e punonjësve të Vatikanit jetojnë në rajonin Lazio, ku 44 persona kanë rezultuar pozitiv ndaj virusit.

Papa Françesku është deri sot i sëmurë pasi ka marrë një ftohje të rëndë, e pas testeve, rezultoi negativ ndaj Covid-19. 83-vjeçari ka një mjek personal dhe nuk viziton qendrën mjekësore, përveç rasteve të rralla kur përshëndetet me stafin.

Vatikani tha të enjten se po shqyrtonte ndryshimet në axhendën e Papës. Por nuk është thënë nëse Papa do të ndalohet të ketë takime me njerëzit që shkojnë në mesha apo nëse ai do të ndalohet të shtrëngonte duart me vizitorët.

Papa Françesku nuk është parë në publik që kur njoftoi gjatë lutjes së tij tradicionale të së Dielës para turmës në Sheshin e Shën Pjetrit se ishte sëmurë me të ftohtë.

Gjithashtu BBC raporton se është e mundur që për herë të parë që nga krijimi si një shtet i pavarur i Vatikanit, në shkurt të vitit 1929, mbajtja e Meshës në të Dielën e Pashkëve dhe shërbime të tjera gjatë Javës së Shenjtë, mund të anulohen.

Per kete vlen të kujtohet se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, e Diela e Pashkëve u festua në sheshin e Shën Pjetrit, shkruan BBC.