Pa u mbushur 24 orë nga fillimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vend, kryeministri iu rikthye “huqit” të vet: Marketingut të imazhit personal apo PR-it! Për rreth 30 minuta ai doli “live” me audio dhe video nga kanali i tij në Facebook. “?www.shqiperiaqeduam.al ME NJË KANAL KOMUNIKIMI URGJENT PËR HALLET E LUFTËS NË FAMILJET TUAJA ? SHKRUANI DHE LINI KONTAKTIN TUAJ TELEFONIK ? BRENDA 24 ORËSH JU KTHEJMË PËRGJIGJE #njëAtdhe ?? #njëFamilje”, shkruante kryeministri sipër videos “live”.
Por këtë herë, doza e marketingut të imazhit ishte shumë e lartë. Nuk ishte monologu i rradhës i kryeministrit nga një dhomë me një raft me libra në Surrel dhe as zyra e tij në kryeministri me Ismail Qemalin dhe Flamurin Kombëtar si sfond. Kryeministri këtë herë, shfrytëzoi edhe hallexhinjtë e shumtë që kanë shkruar apo telefonuar tek portali “Shqipëria që duam”, një gjetje populiste për të bërë PR apo marketing imazhi. Kështu, kryeministri tregonte me “dëshmitarë” si i zgjidh ai hallet e luftës, siç e quan ai situatën ku ndodhet vendi. E sigurisht, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ata që telefonoheshin ishin shumë të kënaqur që “hallet e tyre u zgjidhën” nga portali qeveritar.
Specialistët e marketingut kishin planifikuar edhe ndonjë mosplotësim kerkese. siç ishte rasti i “këmbës së thyer”, me të cilën Rama premtoi se do të merrej, por pasi të përfundonte “lufta”.
Ndoshta e keni harruar, por portali “Shqipëria që duam” nuk ekziston tani, nuk është shpikje e kësaj situate. Portali i prezantuar me bujë, duhet të mundësojë “bashkëqeverisjen” me shqiptarët të vendit nga Rilindja apo PS-ja, e vetme në timon, pa aleatë në krah e pa opozitë përballë në Kuvend. Shpikje, dhe madje e mirëmenduar, është riaktivizimi dhe komunikimi “live” i kryeministrit nga kjo platformë përmes Facebook me mbi 1.2 milion ndjekës. Është e sigurtë se audienca në këto kohë është maksimale. Kryeministri na ka ngujuar në shtëpi për të na mbrojtur nga virusi korona. Të paktën kështu thotë ai. Madje, për të siguruar që jemi në shtëpi, ka miratuar edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore, që me ligj i jep të drejtë të na kufizojë liritë tona. E tani mes katër mureve të shtëpisë, alternativat tona nuk janë të shumta: Mediat vizive ose rrjetet sociale! Sot shumë media dhanë “live” komunikimin e Ramës për “luftën”. Po ashtu, edhe në rrjete sociale audienca natyrisht është më e lartë se në ditë të zakonshme. Kështu që, kjo periudhë, për aq kohë sa do të zgjasë dhe nuk do të jetë e shkurtër, do të ndihmojë kryeministrin të jetë “gju më gju” me popullin. Këtë herë, i futur në thark, për ata që e kuptojnë… Ata që nuk e kuptojnë, mund të pyesin.
E vetmja shpresë që mban shqiptarët është që kryeministri të mos ketë aq shumë kohë në dispozicion sa të na dalë 4-5 herë në ditë në televizione e rrjete sociale. Edhe pse duket e vështirë pasi edhe ai vetë është i ngujuar. Përveç rasteve kur del të inspektojë, si sot, rrugët në Tiranë, duke shkelur masat e sigurisë përballë virusit por edhe supërmasa sigurie fizike për veten. Me këtë rast, Rama ka mundësi të bëjë edhe një “eksperiment social”, si reagon një popull i tërë i ngujuar përballë bombardimit me propagandë nga kryeministri i vet. Është më shumë se mendje gebelsiane! /Shënim i ShkodraWeb Media/