Sot mund të thuhet me gojën plot se Ramush Haradinaj u largua nga drejtimi i qeverisë së Kosovës dhe vendi shoi në zgjedhje të parakohshme për shkak të mos heqjes së taksës për Serbinë. Edhe pse artikulohej si hipotezë, sot ajo mori vërtetimin në sallën e Kuvendit të Kosovës ku 82 vota të bashkuara të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit në kapërcyell të më pak se tre muajve jetë.
Në fakt, ishte parashikuar se qeveria Kurti do të kishte të vështirë të lindte dhe nëse kjo do të ndodhte, do ta kishte jetën e shkurtër. E kështu ndodhi! Shkarkimi i beftë i ministrit të brendshëm, përfaqësues i LDK-së, ishte vetëm shkëndija që ndezi fitilin duke hedhur në erë qeverinë VV- LDK.
Albin Kurti nuk mësoi asgjë nga paraardhësi i tij Ramush Haradinaj. Jo vetëm kaq. Haradinaj mbeti i vendosur në vendimin e tij për të mos “i hapur derën” Serbisë me kusht edhe dorëheqjen. Kurti, hapi “kapakun e parë” dhe la në këmbë mundësinë e hapjes së plotë të derës. Shkurt, Kurti nuk u tregua konsekuent dhe aq më pak, nacionalist siç krijoi imazhin e tij Haradinaj me taksën ndaj Serbisë.
Në këto 81 ditë të qeverisjes së Kosovës, Kurti tregoi se nuk kishte përvojë në politikë. Edhe perceptimi i tij për shtetbërjen rezultoi në hullinë e paraardhësve. Hapi i parë ishte pazari me LDK-në për postin e kryetarit të Kuvendit, duke larguar pas një muaji Konjufcën dhe për ti hapur krahun Vjosa Osmanit. Kurti nuk arriti të ruajë ekuilibra as brenda koalicionit. Shkarkimi i ministrit të LDK-së, numri 2 i kësaj force politike, vërtetoi pamundësinë e tij për të mbajtur aleatë në qeverisje. Ideja e tij se do të ndërhynte në garën për kreun e LDK-së, duke penalizuar ministrin e brendshëm Agim Veliu thuajse kandidat përballë Isa Mustafës, rezultoi llogari e bërë gabim.
Rreshtimi në krah të Kurtit dhe kundër partisë së vet LDK i Vjosa Osmanit, tregoi se brezi i ri i politikanëve të Kosovës që nuk kanë lidhje direkt me luftën apo me politikën e fillimviteve ’90, nuk janë akoma gati të qeverisin vendin. Ky është një dëm jo i vogël që i bëhet një brezi të tërë në Kosovë dhe sipas gjasave, do të ketë pasoja edhe në vitet në vijim.
Albin Kurti nuk pati nuhatjen ose pati kokëfortësinë të mos lexonte qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me taksën ndaj Serbisë. Sepse është e qartë se shkarkimet e ministrave, nuk i interesojnë shumë diplomacisë amerikane.
Kurti nuk tregoi lidership si kryeministër, krijoi dukshëm në publik çarje me Presidentin Thaçi, i cili duhet pranuar është figura më e konsoliduar dhe e preferuar e ndërkombëtarëve në Kosovë. Qëllimet e Kurtit mund të jenë shumë të mira, por nuk i la kohë vetes ti materializonte. Nëse do të ishte profesionist në politikë, do të duhej të merrte edhe një “kthesë” tjetër, të ngjashme me atë për Konjufcën në Kuvend. Sepse duhej të fitonte kohë, kohë dhe ndonjë aleat. Votimi pro mocionit të mosbesimit i AAK-së së Haradinajt, është një tjetër provë e fortë se Kurti nuk mësoi asgjë nga paraardhësi i tij. Haradinaj tregoi se ishte politikan konsekuent përveç se profesionist. Mbrojti deri në fund taksën ndaj Serbisë, dha dorëheqje, hyri në zgjedhje e humbi. La mandatin, futi në garë partinë e tij dhe…nxiti Kurtin të mës e hiqte plotësisht taksën ndaj Serbisë.
Opozita e Kurtit në Kosovë, ka lënë shenjë të fortë. Radikal por edhe i spikatur në demonstrimet e tij. Pavarësisht se sot u largua nga kryesimi i qeverisë, Kurti la gjurmë edhe si qeverisës. Në mos për gjë tjetër, për shkurtësinë e qeverisjes së tij në Kosovë.
Por Kurti është faktor dhe do të kërkojë të jetë i tillë edhe si jo kryeministër. Pas asaj që ndodhi në Kuvend sonte, lëvizja e tij e rradhës do të jetë kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Por do ti duhet të përballet me mundësinë e krijimit të një aleance në mes LDK- PDK apo ndoshta edhe me AAK-në e NISMA-n. Sipas gjasave, nëse nuk do të marrë zgjedhjet e parakohshme, Kurti e VV-ja e tij do ti kthehet opozitarizmit radikal. Por sigurisht, sot Albin Kurti mori një mësim të mirë. Politika nuk është ajo që duket, ajo që besojnë njerëzit dhe perceptojnë të gjithë…si Albin Kurti për shembull! Realpolitika dhe idealpolitika nuk janë e njëjta gjë Albin! /Nga Blerti DELIJA/