Pse hyri sot në seancë plenare opozita? U mësua publikisht se kërkonte debat për dekretet e presidentit Meta për ndryshimet në qeveri. Madje, ishin depozituar edhe emrat e diskutantëve të mundshëm. Siç ishte e parashikueshme lehtë, kërkesa e opozitës nuk u miratua.
Kryetari i Kuvendit ishte i prerë: Në asnjë nen të rregullores parlamentare, nuk parashikohet debat për dekrete emërimi apo ç’emërimi ministrash. Jo vetëm kaq, por Ruçi kishte porositur administratën e Kuvendit të hulumtonte nëse kishte precedentë. Ai citoi me shifra mbi 162 seanca të ngjashme, ku nuk kishte patur asnjëherë debat.
Pasi nuk u lejua të diskutonte, opozita u largua nga salla me përjashtim të ish- kryeministrit Berisha. Pavarësisht me me mikrofon të fikur, për disa minuta ai qëndroi në foltore duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës. Pas daljes, Basha e Kryemadhi përcollën mesazhin për largimin me çdo kusht e çmim të “hajdutit psisik” Edi Rama. Madje, shtuan se ata që i japin oksigjen atij, janë tradhëtarë.
Deri këtu, gjithçka do të përmblidhej në “asgj e re nga fronti i perendimit”. Por në fakt, duket se momenti më i rëndësishëm dhe i gëzueshëm për deputetët e opozitës, ishte verifikimi i pranisë në sallë. Zyrtarisht, duke nisur nga sot, deputetët e opozitës mund të vazhdojnë bojkotin edhe 6 muaj, ndërsa brenda shkurtit mandatet e tyre do të rrezikoheshin të digjeshin sepse po afrohej 6- mujori pa u paraqitur “në punë”, siç thotë Kushtetuta. Për ata që me “udhër” politik, nuk u futën në Kuvend në dhjetor 2018.
Pse hyri sot në Kuvend opozita? Sigurisht, ekspertët e saj e dinin se nuk do të kishte debat për dekretet. Mazhoranca nuk jep hapësirën e nevojshme për opozitën në seanca më pak të rëndësishme, jo më në një seancë të jashtëzakonshme. “Sebepi” ishte i mjaftueshëm për të “detyruar” opozitën të thyejë bojkotin. “Kauza” ishte e fortë, edhe pse në fakt të gjithë e dinin se si do të përfundonte kjo seancë.
Të gjithë dolën të çliruar nga salla. Ndoshta edhe Rama e të vetët. Do të vazhdojnë të kenë përballë në Kuvend opozitën. Atë që shqiptarët votuan në 2017- ën. /Nga Sokol N. Sokoli/