”Rrit kontrollin politik të ministrit të brendshëm”, Presidenti Meta i kthen mazhorancës një tjetër ligj…

Presidenti i vendit, Ilir Meta i ka kthyer mbrapsht për rishqyrtim Kuvendit nje tjeter ligj te rendesishem. Paraditen e sotme, Presidenca ka njoftuar se kreu i shtetit nuk ka kaluar ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Sipas arsyetimit ligjor të bërë publik nga institucioni i Kreut të Shtetit: “Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues. Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor”.


Ky ligj, i miratuar në mënyrë të nxituar, përmbante një gabim që në titullin e tij, titull i cili nuk reflekton vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë që bëhen përmes tij në ligjin bazë nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, por titullohet si një ligj i ri.

Ky ligj synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve, për të mos kaluar procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër.

Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2019 dhe ndryshimet që tentohen të realizohen me ligjin nr. 74/2020 të kthyer për rishqyrtim, jo vetëm që shtyhet procesi i rivlerësimit të trupës drejtuese, por edhe vetting-u i efektivëve të policisë tashmë i lihet në dorë një pjesë të vogël personash brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që ka kaluar vetting-un.

Kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë proces.

 ABCOM ║ VODAFONE