“Dua ti them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë”.
U deshën më shumë se tre vjet nga marrja e mandatit si deputete që Rudina Hajdari ta pranonte se hyri në listat e PD-së vetëm për një meritë: Vajza e Azem Hajdarit! Gruaja që në mes të gushtit mbush 33 vjeç, vërtetoi sot se qëllimi i saj është mbetja në politikë, jo domosdoshmërisht qëndrimi në PD, partinë që ati i saj krijoi. Ideja e hedhur për krijimin e një force politike të re, tregoi se idealet e Azem Hajdarit jo domosdoshmërisht janë përqafuar edhe nga e bija. Në një parti konservatore kudo në botë, kaq do të mjaftonte që zgjedhësit e djathtë apo të PD-së, ta sikterisnin një politikane si Rudina Hajdari.
Rudina Hajdari nxjerr në dukje dëshirën për të qëndruar në politikë, edhe pse vazhdon edhe sot, të marrë apo të synojë kredite, vetëm përmes që qenurit Rudina Azem Hajdari. E ka të qartë se edhe në këto tre vite që pati në dispozicion një foltore si ajo e Kuvendit, nuk qullosi asgjë për të qenë. Nuk krijoi dot kauza, edhe kur tentoi, më shumë mbahet mend për gafat në artikulimin e tyre se për thelbin. Nëse hyri në politikë pa i thënë askush “puna e mbarë”, as këto 3 vite nuk bëri ndonjë punë për të cilën të mbahet mend.
Prej pak javësh, Rudina duhet të mbajë mbi shpinë edhe një barrë jo të lehtë. Mamaja e saj, Fatmira Hajdari, bashkëshortja e Azemit, u largua nga sistemi i drejtësisë sepse nuk mund të justifikonte një pasuri të tepërt në rendin e 400 mijë dollarëve. Natyrisht askush nuk mund dhe nuk duhet të akuzojë vajzën për nënën, por tashmë e ka detyrimin publik të provojë se shkollimi i Rudinës në SHBA, nuk është bërë me para me burim të pajustifikueshëm. Nëse e di se shkollimi i saj është bërë pikërisht me këto para, ka detyrim të kërkojë ndjesë publike dhe të dalë në hije për të vijuar jetën si qytetare zakonshme. Ky është morali mbizotërues në botën përendimore apo edhe në SHBA-në ku ajo është edukuar. /ShkodraWeb Media/