Qeveria “zgjidh qesen”, prezantohet paketa antikrizë, ja kush përfiton nga rritja e pagave dhe pensioneve në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Paketën e re të Rezistencës Sociale e cila ëhstë konceptuar si një mbështetje afatmesme, që konkretizon angazhimin e qeverisë për tu siguruar qytetarëve shqiptarë një mbështetje afatmesme, të qëndrueshme, për përballimin e pasojave të krizës globale, duke ndërhyrë në një sërë drejtimesh.

Paketa e re e Rezistencës Sociale për të parën herë riindekson pensionet brenda të njëjtit vit me normën e re të inflacionit, duke e çuar në 9.5% indeksimin vjetor • Rrit me 10% mbështetjen mujore për ndihmën ekonomike dhe e dyfishon atë për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë • Indekson me 7.5% pagesat për Aftësinë e Kufizuar dhe rrit mbështetjen financiare për energjinë elektrike për të verbërit, paraplegjikët e tetraplegjikët • Rrit përsëri pagën minimale në 34 mijë lekë dhe sjell rritje pagash për administratën, Policinë e Shtetit dhe Policinë e Burgjeve • Shton mbështetjen financiare për naftën pa taksa për fermerët, vijon mbështetjen e peshkatarëve për TVSH-në e naftës, konfirmon mbështetjen e mëtejshme për transportin publik dhe garanton mbrojtjen e çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël.


FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Mirëdita të gjithëve! Jemi sot këtu me dëshirën dhe më kënaqësinë për hir të së vërtetës për të ndarë me të gjithë publikun dhe posaçërisht me atë pjesë të publikut që është i interesuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për çfarë qeveria do të bëjë për të vijuar mbështetjen në këtë situatë krize globale, krize energjitike, krize të inflacionit që ka prekur të gjithë botën, të gjithë Europën dhe natyrisht ka prekur edhe Shqipërinë.

Dua të jem sa më i permbledhur se do të kemi kohë dhe ditë për të shpjeguar deri në detaje, ndërkohë që misnistrja e financës dhe ekonomisë, si edhe ministrja e energjisë dhe infrastrukturës janë këtu bashkë me mua për të detajuar pjesë të caktuara të kësaj pakete, por unë do të mjaftohem duke thënë që paketa është konceptuar si një mbeshtetje afatmese jo si një mbështetje e përkohshme e shtrirë në një, dy apo tre muaj, që do të thotë se kemi marrë në konsideratë faktin që kjo krizë është e një natyre të paparashikueshme për kur e ka fundin e saj, dhe angazhimi ynë është që t’u japim njerëzve tanë një mbështetje afatmesme, të qëndrueshme dhe të ndërhymë në një sërë drejtimesh ku ndërhyrjet janë aty për të qëndruar. Çfarë do të thotë? Do të thotë, për shembull për pensionet. Pensionet indeksohen zakonisht një herë në vit, kjo ndodh në muajin prill dhe janë indeksuar këtë vit pikërisht në muajin prill, duke marrë parasysh edhe efektin e inflacionit, por për herë të parë do të ri indeksohen, pra do të kemi një ri indeksim të pensioneve të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6 %, duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm por shkon në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti. Kjo do të ndodhë edhe për personat me aftësi te kufizuar, edhe për personat me aftësi te kufizuar kemi indeksimin e përvitshëm. Bëjmë këtu një ndërhyrje për një indeksim 7.5% për të gjithë personat me aftësi të kufizuar.

-Do të rrisim edhe një herë me 10% ndihmën ekonomike, ndërkohë që do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Bëmë në paketën e parë një dyfishim të ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me tre fëmijë, tani ulemi edhe për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Pra të gjitha gratë kryefamiljare, të cilat janë të kushtet e papunësisë natyrisht do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar. Do të vazhdojmë programin e rritjes së pagave siç është paralajmeruar për sektorët prioritarë, me buxhetin dhe në afatin e vitit të ardhshëm. Pasi kemi rritur me efekt nga muaji korrik pagat për ushtarakët, për mjekët, infermierët, mësuesit, do t’i rrisim përsëri në ndërkohë që sot me ndërhyrjne  e dytë dhe me një paketë rezistence afatmesme do të rrisim pagën per administratën që nuk ishin prekur prej shumë kohësh dhe jo pa qëllim për hir të së vërtetës dhe do të rrisim po ashtu pagat për policinë e shtetit dhe po ashtu për policinë e burgjeve, edhe këto trupa qe kishin mos rrritje pagash prej disa kohësh pas një rritje masive që patën marrë diss vite me parë. Ndërhyrja tjetër do të jetë edhe një herë po brenda këtij viti e pagës minimale.

-Rrisim pagën minimale nga 32 në 34 mijë lekë, pra nuk duhet dhe nuk do të ketë pagë më të ulët se 34 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Me këto ndërhyrje ne besojmë se i kapërcejmë në aspektin financiar paketat e natyrës “një pako për dy apo tre muaj dhe pastaj s’ka tjetër” dhe krijojmë një bazë të rëndësishme, të zgjeruar rezistence të të gjitha këtyre kategorive, në raport me situatën e inflacionit dhe garantojmë me laps në dorë mosrënien dramatike të fuqisë blerëse, por përkundrazi vazhdimin e një lëvizjeje në ekonomi sikundër e kemi parë deri më sot.
Në ndërkohë qendrojmë në 3 pika që kishte dhe paketa tjetër, me të njëjtën qasje, mbështetja për naftën pa taksa për fermerët, rrisim financimin, mbështetja për tvsh e peshkimit, rrisim financimin, mbështetja për mosprekjen e çmimit të biletës se transportit. Thënë të gjitha këto, e gjitha është e paplotë dhe mbase dhe jo plotësisht e kuptueshme pa atë që është e fundit, por jo për nga rëndësia në këtë prezantim të timin, që është energjia elektrike.

Jemi sot i vetmi vend në rajon dhe në Europë që ka marrë një vendim të prerë politik për të mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët dhe për bizneset e vogla. Nëse ky është një vendim ambicioz dhe kurajoz apo një vendim i çmendur dhe me pasoja të paparashikueshme,  këtë do ta tregojë koha. Por ne vazhdojmë të besojmë qe duhet t’i mbrojmë konsumatorët familjarë she bizneset e vogla nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo mbrojtje deri tani rezulton edhe arsyeja themelore pse ne kemi inflacionin më të ulët në rajonin tonë dhe kemi dhe një inflacion arsyeshëm më të ulët sesa edhe në gjithë euro zonën sepse nuk kemi rritur çmimin e energjisë që do të sillte në zinxhir pastaj rritjen e të gjitha çmimeve të tjera.

Por, sigurisht që ka një “por” shumë të madh këtu, nisur nga analiza e gjithë fashave të konsumatorëve, kemi mbi 90% konsumatorë familjarë, të cilët konsumojnë rregullisht më pak se 800 kv/h dhe kemi një numër konsumatorësh rreth 6-7% të totalit që konsumojnë më shumë se 800 kv dhe aty bëhet fjalë për konsumatorë familjarë me vila, me pishina, me oborre të gjera, me ndriçim dekorativ e kështu me radhë për të cilët mendojmë se ka ardhur koha që nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit dhe nuk mund të paguajnë më taksapaguesit e zakonshëm, prandaj çdo kilovat mbi 800-in do të paguhet me çmimin e tregut dhe me këtë ne synojmë edhe të krijojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt të energjisë elektrike në kushte krize.

Sikundër e kemi përsëritur disa herë dhe ministrja e ka përsëritur për shkak të detyrës në mënyrë të vazhdueshme, jetojmë në një kohë kur vendet edhe më të pasura po marrin masa drastike të paimagjinueshme deri përpara kësaj krize që lidhen me shtrëngime dhe penalitete deri surreale nëse do të ishim 6 muaj përpara.

Sot lexova që Zvicra ka vendosur penalitetin e tre viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre, ashtu sikundër kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës etj., etj. masa të kësaj natyre. Ne nuk kemi një plan të tillë shkurtimesh drastike. Ne nuk kemi një plan të tillë detyrimesh të kësaj natyre apo penalitetesh, por sigurisht kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka nevojë për ta kursyer energjinë elektrike dhe kjo nuk do të thotë aq më pak që ata të cilët vazhdojnë me këmbëngulje pa dashur absolutisht të dëgjojnë duke thënë se ne jemi ndryshe nga gjithë bota, se ne e kemi energjinë, se ne na vjen nga qielli dhe nuk na vjen nga gazi rus, se ne nuk kemi pse vrasim mendjen, në qoftë se kjo qeveri e poshtër nuk do përdorte lekët që shet energjinë për gjëra të tjera, duhet të kuptojmë që flasim diçka absolutisht të pakuptimtë dhe dua ta mbyll duke thënë dhe duke iu parë në sy: Shqipëria edhe në vitin e vetë më të mirë përsa i përket reshjeve i cili është një vit që nuk po na vjen prej 4 vitesh sepse është viti i katërt ky që ka thatësi të madhe, nuk e prodhon dot të tërë energjinë që i duhet edhe në vitin më të mirë, edhe kur hidrocentralet janë plot, jo më kur thatësia bën që hidrocentralet të bien nga kuotat optimale dhe në vitin më të mirë, Shqipëria duhet të dali në treg dhe duhet të importojë dhe në momentin kur del në treg dhe importon, Shqipëria paguan me çmimet marramendëse të tregut. Ky është fakt, nuk është opinion.

Rritja e kapaciteteve prodhuese, garantimi i prodhimit të energjisë në vend, transformimi i Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë, është ambicia jonë, është plani ynë. Nuk është për sot për ta shtjelluar. E kemi përsëritur dhe do vazhdojmë ta përsërisim se si do të arrijmë brenda vitit 2030 që të jemi një vend sovran në prodhimin dhe në eksportin e energjisë dhe të mos ja shtrijmë dorën askujt me investimet që kemi nisur të bëjmë dhe me ato që kemi në plan që të bëjmë, por për momentin ne jemi tërësisht të varur nga tregu. Dhe për sa kohë që jemi të varur nga tregu ne duhet të kuptojmë që sforcoja që po bëjmë dhe paratë që vëmë në dispozicion për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla është e jashtëzakonshme. E të gjithë atyre që bëjnë llogari të paketave, një paketë këtu, një paketë atje në një vend këtu, në një vend atje, po ju them që në totalin e vet, çfarë ju tregova sot dhe çfarë do të shtjellojë më pas ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe ministrja e Energjisë është një mbështetje financiare në kohë krize për përballimin e efekteve të kësaj krize afro gjysmë miliardi.