Ishte ndër ato rastet kur një reagim përhapet me shpejtësi si për të tregtuar se ca të vërteta janë aty gjithmonë brenda secilit prej nesh, por duhet dikush i artikuluar e i drejtpërdrejtë që të dalë t’i thotë troç! Bëhet fjalë për fjalimin e zonjës Rigerta Loku nga Rubiku, historia e së cilës dihet e s’ka nevojë për përsëritje.
Në fjalimin e zonjës Loku nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, veç vërtetësisë. Ata që u habitën nga ajo çfarë tha Rigerta, thjeshtë nuk e njohin Shqipërinë tjetër, atë ku njerëzit dërrmohen duke punuar e shteti vetëm ju jep çertifikata e asgjë më shumë.
Unë mbaj mend që në 15 shtator të 2012-ës kur ish-kryeministri Berisha bridhte me parullën “Rrugë Rrugë”, bëra një shkrim ashtu shpejt, krejt natyrshëm me titull “Eja dhe këtej z…”, i cili gjendet akoma online në linkun e mëposhtëm (http://www.gazetatema.net/2012/09/15/119314/).
Im vëlla dhe dhjetëra nxënës në fshatin tim në rrethin e Matit zhvillonin beteja jete për të shkuar në shkollë. Infrastruktura rrugore nga komuna ishte lënë në mëshirë të fatit. Edhe sot që është në dorë të bashkisë së Klosit është po njëllojë. Akoma lufta për dije është një luftë me vdekjen në fshatin tim, por edhe në shumë fshatra të tjerë kudo në veri.
Ato të vërteta që tha dje Rigerta janë sot e gjithë ditën një realitet i zakonshëm në fshatrat tanë, dhe atyre pordhacët që u habitën e ironizuan në rrjetet sociale teksa kthenin ndonjë gotë në bllok, s’ju ka rënë bytha ngushtë mesa duket, asnjëherë.
Gjithësesi përpos kësaj, ajo që është shqetësuese është fakti se si sillet politika ndaj zërave që thonë ca të vërteta të thjeshtë, copë fare. Mazhoranca ka folur me anë të ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili tha se ai fjalim ishte një moment reflektimi. Se sa reflektim do të ketë këtë do ta shohim në vazhdim me punën që qeveria do të bëjë në fshat dhe për fshatin. Për qarkun e Dibrës fjala bie, do e tregojë Rruga e Arbrit e premtuar nga çdo kryetar partie këto 27 vjet e ku kryeministri Rama është zotuar se ajo punë ka marrë fund dhe do të bëhet brenda këtij mandati. Presim!
Ajo që pastaj është e tmerrshme kur e dëgjon, është ta quash atë fjalim të pavërtetë, ose shkrimin tim të para 5 viteve më parë, rrenë. Është e tmerrshme sepse të mohosh atë realitet është të mos e njohësh atë e për pasojë, të mos dish ç’të bësh për ta ndryshuar.
Këtë nuk mund ta bëjë askush me dy pare mend në kokë, por e bëri Lulzim Basha dhe Edi Paloka. Ata duke sulmuar atë që tha një fakt, harrojnë që mund të rrëzojnë edhe vetë faktin dhe t’ja bëjnë punën më të lehtë qeverisë. Një shkollë klasike komuniste propagande, ku nuk e kuptojnë se Rigerta dje po kërkonte në parlament ndaj qeverisë atë që nuk e kërkon PD-ja (e cila merret më familjen e kundërshatrëve, akoma!)
Ndoshta kjo është një mënyrë xhelozie e një PD-je pa ide, pa vision, pa lidership, pa ekip, pa program, pa plan, e cila kur sheh që dikush bën opozitë më mirë se ajo, ngrihet dhe çjerr atë që bën punën e saj. Duke mos ju bashkuar asaj, PD tregon se ka frikë nga opozita e vërtetë, tregon se ka frikë nga ata që i thonë të vërtetat në sy. Edhe pse PD-ja në fakt është mëkatare e madhe kur vjen puna të lënia pas dore që i është bërë fshatit kur ka qenë 8 vjet në pushtet, ajo dje duhet t’i dilte anë krah zonjës nga Rubiku. Duhet të kërkontë falje për çfarë nuk kishte bërë ose kishte bërë keq. Por nuk e bëri. Madje e sulmoi atë që duhet ta kishte aleate, nga frika se opinion publik do thoshte që “kjo vajzë bën më mirë opozitë se vetë partitë opozitare”
Kjo frikë nga realiteti është një fakt tjetër se pse PD-ja doli aq dobët në zgjedhje. Ndërsa sulmi ndaj zonjës Loku është frika që Bash aka patur dhe ka përherë nga garat dhe konkurenca. Dje Loku ishte një opozitare e denjë e çdo qeverie dhe një aleate e madhe e çdo opozite. Por, për Bashën, ajo është një kërcënim pasi opozita e tij është shumë e vogël përballë të vërtetave të mëdha.
Nga ana tjetër qeveria kanë patur si parrullë gjatë mandatit të parë teksa kryeninin rehabilitimin e qendrave të qyteteve fjalinë “Nga qendrat e qyteteve, do shtrihemi drejt fshatrave me rilindjen rurale”. Rigerta dje i kujtoi qeverisë atë premtim duke i thënë që ne jemi këtu dhe mbajmë mend.
Rigerta dje bëri opozitë reale, me halle reale dhe probleme reale që kërkojnë zgjidhje reale, jo më slogane rrugësh imagjinare.
Opozita e një njeriu të zakonshëm dhe llogaria që ajo kërkoi e ka trembur Lulzim Bashën, i cili ka dalë zbuluar që nuk di të bëjë opozitë.
Nga ana tjetër, fjalimi i djeshëm i Lokut por dhe çdo problem i shqiptarëve është një trokitje në derën e Edi Ramës i cili ka thënë që do bashkëqeverisë me njerëzit e zakonshëm. Me atë që tha dje zonja Loku, tregoi se këta të fundit po e presin të vazhdojnë nga puna bashkërisht me kryeministrin, në të kundërt…!