“Anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum”, selia blu reagon pas deklaratave të deputetit Flamur Noka…

Partia Demokratike ka reaguar ndaj deputetit Flamur Noka i cili akuzoi liderin e demokratëve Lulzim Basha që në mbledhjen e Kryesisë, ka “fyer” sipas tij anëtarësinë dhe elektoratin e PD me etiketimin “llum”.

Këtë deklaratë Noka e bëri për mediat jashtë selisë së PD, pas takimit të grupit parlamentar demokrat. Ndërkohë në një reagim për mediat zyra e shtypit e PD, thotë se kjo është një shtrembërim i të vërtetës që është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë.


“Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalen llum. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në reagim.

REAGIMI I PLOTE I PD:

Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje.

Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalen llum. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës.

LEXONI EDHE: VIDEO – “Askush nuk ka guxuar ta quajë llum bazën e PD-së… përveçse zoti Basha”, deputeti Noka akuzon Bashën

Anëtarësia e PD, militantët e saj të nderuar kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama- Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij.