Pas fitores me Hungarinë më 9 tetor në Budapest, Shqipëria rikthehet të luajë ndaj Polonisë ditën e nesërme, ndeshjen e dytë të tetorit, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri Reja dhe kapiteni Berisha kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat, ku kanë folur në lidhje me këtë sfidë.
Ndërsa iu përgjigj interesit të mediave shqiptare dhe polake, tekniku italian u shpreh se ndaj Polonisë skuadra duhet të jetë shumë e përqëndruar pasi ekipi polak është një kundërshtar i nivelit të lartë. Gjithashtu, tekniku Reja theksoi se skuadra shqiptare është rritur shumë dhe renditet në vendin e dytë me meritë të plotë, ndërsa theksoi se ëndrra për të kapur play-off-in vazhdon, pasi ekipi do të luajë shanset e tij deri në fund.