E zënë me gërr- verret mes vedi, opozita vështirë të kujtohet sot për Pjetër Arbnorin. Si sot 89- vjet më parë, lindi kryetari i parë i Kuvendit pluralist, pas rreth 45 viteve diktaturë. Sepse parlamenti i pas 31 marsit 1991, ishte vazhdim i qeverisjes 45- vjeçare të vendit, me disa retushime të vogla. Nuk e di nëse vetë Kuvendi, ka menduar ndonjë ceremoni, të paktën vendosje kurorash apo lulesh në bustin që i ngritën ish- kryetarit të tij në oborrin e parlamentit.
Por sigurisht, do ta kujtojë familja, bashkëshortja, fëmijët, të afërmit, miqtë e ish- bashkëpunëtorët. Natyrisht, edhe bashkëvuajtësit e viteve të burgut, ata që akoma janë në jetë. Personalisht, e kujtoj shpesh, për një nga theniet e tij to njohura: Duhet me thanë gjithmonë të vertetën por jo të gjitha të vertetat!
Pas 1990- ën, ishte një simbol. Jo vetëm për persekucionin komunist por edhe sakrificën në demokraci dhe në një moshë jo shumë të re, grevën e urisë. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament asokohe, për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.
Rreshtimi i tij në krah të PD- së që në ditët e para të lindjes së saj, ishte diçka e natyrshme. Do të burgosej për rreth 28 vite për idetë e tij socialdemokrate dhe asnjëherë, deri në minutën e fundit të jetës, nuk u prezantua revanshist, hakmarrës apo ekstremist. Ky është dimesioni më i veçantë i tij, fillimisht si njeri por edhe si politikan e intelektual.
Paradoksalisht, rënia e tij politike por edhe në shendet, erdhi pikërisht kur PD- ja nisi të ngrihej dhe të ri- vinte në pushtet në 2005- ën. Kujtoj shpesh një nga takimet e fundit, diku në vitin 2006, ku erdhi në Shkodër si përfaqësues i një forumi për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.
Nuk e kishte më atë buzagazin e zakonshëm. Ishte mjaft i prerë. Nuk kërkoi asgjë për të pirë në kafen përballë ish- TV Rozafës. Një mik dhe bashkëpunëtor i tij i afërt (nuk po ia përmend emrin), i ofroi një pije duke ia lënë mbi tavolinë. Pak kohë më pas, Pjetër Arbnori nuk do të ishte më. U shua me 8 korrik 2006.
Shkoi për tu kuruar nga një problem shëndetësor në Itali (Napoli) dhe pas operacionit njoftoi familjarë e të afërm se shkoi gjithçka mirë dhe se po bëhej gati të kthehej në Shqipëri. Në fakt u kthye, por në një arkivol të mbyllur.
Por sot, në këtë përvjetor të lindjes, duam ta kujtojmë si të gjallë, në gjithë dimensionin e tij. Njeri, politikan, shkrimtar, përkthyes dhe intelektual. Si imazh i një shkodrani e shqiptari të mirë që, pavarësisht dallgëve që nuk iu ndanë gjatë gjithë jetës, la pas emrin e mirë. Ndoshta krenaria më e madhe për fëmijët e të afërmit! /Nga Blerti DELIJA/