Viti 2023 ishte i dyti në mandatin e tretë të Partisë Socialiste në qeveri, e cila e vetme, por e përforcuar edhe nga aleancë informale me PSD-në, vijon të ketë kontrollin e plotë numerik në parlament. E pashqetësuar nga presioni publik (mungesë protestash dhe lëvizje antiqeveritare), si dhe nga raportet në përfaqësim (opozitë e dobët dhe e fragmentarizuar), si dhe e rikonfirmuar në zgjedhjet vendore të majit në shumicën absolute të bashkive, PS kishte të gjithë hapësirën, mjetet dhe mundësinë për të iniciuar reforma dhe për të jetësuar programin e saj qeverisës. Në këtë kontekst, gjatë vitit 2023 pritej që institucioni i parlamentit, më i rëndësishmi në hierarkinë e sistemit qeverisës në Shqipëri, të kishte performancë të lartë, për shkak se ishte viti i parë i plotë pas hapjes së negociatave me BE dhe një vit kur Shqipëria do të ishte edhe aktor ndërkombëtar, duke qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit, kryesore e radhës, si dhe mikpritëse e disa samiteve të rëndësishme politike, përfshirë ai i Procesit të Berlinit. Të dhënat cilësore të bilancit politik 2023, sidomos të sesionit parlamentar të vjeshtës (shtator-dhjetor) dëshmojnë se ky vit, ndryshe nga pritshmëritë, përbën një shans të humbur për reforma dhe kthim pas në integritetin e institucioneve dhe maturisë politike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) vijon ta monitorojë Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar prej vitit 2016. Në vitet 2016-2017 nisma u mbështet nga FES, periudha 2017-2020 nga ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, periudha 2021-2022 nga ambasada e Zvicrës dhe prej 2023 me vetë kontributin e stafit të ISP-së. Gjithsesi, gjatë viteve të fundit ISP ka pasur dhe ka angazhime të tjera specifike lidhur me monitorimin e parlamentit, të tilla si, monitorimi i jetësimit të dekriminalizimit (mbështetur nga NED), monitorimi i standardeve të Kodit të Sjelljes dhe transparencës (mbështetur nga ambasada amerikane), si dhe monitorimi i procesit të raportimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura (mbështetur nga WFD/ambasada britanike). Si pjesë e angazhimit ISP publikon raporte profesionale monitorimi, të cilat gjenden në faqen zyrtare www.isp.com.al.
Ky raport nuk përfaqëson një projekt dhe as nuk ka donator specifik, ndaj të gjitha gjetjet dhe vlerësimet janë përgjegjësi e ISP dhe stafit të vet të ekspertëve dhe monitoruesve. Qëllimi ynë monitorues lidhet kryesisht me nevojën që ekspertiza jonë e krijuar prej kaq vitesh të përdoret pozitivisht në drejtim të informimit publik mbi parlamentin dhe aktivitetin parlamentar në Shqipëri, por edhe për shkak se vlerësojmë se nuk ka sens që organizatat e shoqërisë civile të operojnë më monitorime pjesore në sektorë të ndryshëm të qeverisjes dhe politikës duke lënë pa monitorim Kuvendin, institucionin kryesor në sistemin politik. Raporti merr në analizë treguesit kryesore të parlamentit aktual, bilancin ligjvënës të sesionit parlamentar shtator-dhjetor 2023, ushtrimin e funksioneve kushtetuese të parlamentit, si dhe ofron gjetje dhe rekomandime.
DEPUTETËT MË EFEKTIVË NË OPOZITË DHE NË MAZHORANCË
Raporti i ISP- së, ka evidentuar deputetët më efektivë, më aktivë, që kanë folur më shumë gjatë seancave plenare të Kuvendit. Ata janë ndarë në deputetë të opozitës dhe të mazhorancës, ku ISP- ja ka vlerësuar më efektivët, bazuar në statistikat e akumuluara gjatë gjithë sesionit paralamentar që përfundoi në dhjetor 2023. Kështu, nga radhët e opozitës në 5- shen e parë rreshtohen: Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Dhurata Çupi, Oerd Bylykbashi dhe Emilia Koliqi. Kjo e fundit, është e vetmja përfaqësuese e Qarkut Shkodër që është renditur ndër më efektivët e e sesionit parlamentar që përfundoi.
Nga radhët e mazhorancës, deputetët më efektivë janë: Erion Braçe, Klotilda Bushka, Nasip Naço, Eduard Shalsi dhe Lavdrim Kashi. Pavarësisht se 6 nga 11 deputetët e Qarkut Shkodër janë pjesë e mazhorancës, asnjë prej tyre nuk rezulton të ketë qenë efektiv në listën e publikuar nga ISP- ja.
DEPUTETËT QË NUK FOLËN ASNJËHERË NË KUVEND GJATË SESIONIT TË FUNDIT
Konkretisht, në listë të deputetëve me 0 diskutime në sesionin shtator−dhjetor 2023 bëjnë pjesë: Agron Çela, Anduel Tahiraj, Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Arben Ahmetaj, Arkend Balla, Baftjar Zeqaj, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Enslemvera Zake, Ervin Salianji, Evis Kushi, Flamur Hoxha, Frrok Gjini, Gertjan Deda, Gledis Çeliku, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Ilir Ndraxhi, Ilir Topi, Jurgis Çyrbja, Kasem Mahmutaj, Kastriot Piroli, Klevis Xhoxhi, Laert Duraj, Luan Duzha, Luljeta Bozo, Lulzim Basha, Meri Markiçi, Merita Bakiu, Mesila Doda, Niko Kuri, Nusret Avdulla, Oriela Nebiaj, Orjola Pampuri, Ornaldo Rakipi, Paulin Sterkaj, Petrit Doda, Seladin Jakupllari, Shkëlqim Bullari dhe Shpëtim Idrizi.
Mjaft interesant është fakti që në listën e deputetëve “memecë” në Kuvend, renditen edhe deputetët e mazhorancës që përfaqësojnë Qarkun e Shkodrës, të cilët janë: Agron Çela, Frrok Gjini, Gledis Çeliku, Helidon Bushati, Meri Markiçi, Paulin Sterkaj. Nga 11 deputetë të Qarkut, 6 janë “memecë” në Kuvend, nga të cilët 5 janë përfaqësues të mazhorancës.