
Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Të dashur bashkëqytetarë,
Sot patëm një diskutim miqësor me Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, në lidhje me organizimin e festës “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” që do të mbahet në qytetin tonë në datat 23-25 shkurt.
Jemi të vetëdijshëm se karnavalet festohen para fillimit të Kreshmeve, por fatkeqësisht, për arsye organizative këtë vit nuk u mbajtën sipas kalendarit katolik.
Gjejmë rastin të theksojmë se aktiviteti “Rrugët e Shkodrës n’ Karnaval”, në asnjë rast nuk ka për synim ta zëvendësojë atë. Kjo festë ka si qëllim të shpalosë vlerat kulturore të qytetit, e lidhur kjo me problematikat sociale aktuale.
Në organizimet e Bashkisë gjithashtu do të përfshihen nxënës, studentë, artistë e biznese. Ftojmë të gjithë qytetin të marrë pjesë e presim qytetarë nga vendi e rajoni të bashkohen me ne në Shkodër.