“Heroi Njeri” është dokumentari kushtuar Zef Gjonit, aktivist i ngjarjeve të fillim viteve ’90, por edhe trajner i Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare të boksit. Sot 74 vjeç, Gjoni ka rrëfyer pjesën më të rëndësishme të jetës së tij. Ai tregon se si u akuzua për masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1997 ku u vranë katër policë.
Zef Gjoni rrëfen edhe ardhjen e shenjtores Nënë Tereza në vitin 1992 në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër dhe se si të fortët e asaj kohe mundësuan hyrjen e humanistes me famë botërore në katedrale pasi populli kishte mbushur vendin dhe Nënë Tereza kishte kërkuar që të mos kishte polic.
Pengu më i madh i jetës së Zef Gjonit është fakti që ende nuk janë gjetur eshtrat vëllait të tij i vrarë në kufi në vitet ’80.
Ai ka marrë pjesë në organizimin e meshës së parë në Shqipëri tek varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër, por edhe shumë protesta asokohe. Pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar sportit të boksit duke qenë trajneri absolut sa i përket titujve kampion, Kupës së Shqipërisë dhe medaljeve ndërkombëtare. Ky dokumentar u realizua me regjinë e Marviks Shantojës dhe drejtor fotografie Artur Drabeja ndërsa u transmetua i plotë në News24 Albania.
SHESHI
Ishim përgatitur qysh më 13 janar 1990 që me u hedh me dinamit busti i Stalinit por në pamundësi sepse ishte e rrethuar me snajpera dhe ishte e gjithë garda e shtetit komunist. Ishim të rrethuar me snajpera në maje tek Turizmi. Me 14 janar 1990 kanë dalë qytetarët dhe ka pasur një dyndje të madhe në këtë vend. Mes gjithë njerëzve kishte edhe të armatosur. Kështu Shkodra u quajt për demonstratën e parë antikomuniste në lindje që edhe Zëri i Amerikës dhe gjitha stacionet botërore dhe europiane dhanë për këtë demonstratë.
VARREZAT KATOLIKE TË RRMAJIT NË SHKODËR 1990
Këtu jam takuar me dom Simon Jubanin dhe me tha rregullojeni dhe organizohuni sepse të dielën tjetër do të bëjmë një meshë të madhe. U hap fjala menjëherë. Dom Simon ishte i fshehur se e kërkonin me çdo kush për ta gjetur që ta ndalonin të mos vinte. Megjithatë kemi pasur edhe një prift tjetër rezervë në qoftë se do t’i ndodhte gjë dom Simonit. Kam shkuar tek taksitë dhe kam gjetur Dolf Guraziun dhe i kam thënë duhet të vish me mua por ai e mori vesh përse dhe më tha nuk mundem sepse më heq bukën e gojës. I thash duhet të vish sepse ti je taksist dhe unë të paguaj paratë për atë punë, atëherë u bind dhe ai dhe më tha shko dhe merr një kupon gjoja për maternitet. Të them të drejtën masat tona ishin zero para atyre të shtetit. Shumë njerëz prej nesh kishin armë por armë vetëm për të bërë zhurmë, kishim edhe ndonjë dinamit vetëm për zhurmë për të bërë ndonjë rezistencë sado të vogël.
Sigurimi Dom Simonin kishin ardhur për ta marrë në 8 sahati në shtëpi ditën e hëne. Ne na lajmëruan dhe shkuam me një grup te rinjsh aty te dega e brendshme dhe ndërhymë tek oficeri i rojës dhe i thamë në qoftë se nuk del Dom Simoni shpejt ne rinia do të bëjmë tonën. Ka dalë pastaj Dom Simoni dhe na ka thënë një fjalë, hajdeni të shkojmë të bëjmë meshën tjetër se këto kanë mbaruar. Ishim të lidhur pastaj ne edhe me miqtë tonë myslimanë dhe pas meshës u hap edhe xhamia e Plumbit.
PALESTRA
Ne kemi qenë katër vëllezër, një motër dhe dy prindërit kemi jetuar në Shkodër. Boksin e kemi filluar 3 prej vëllezërve. Vëllai i dytë, i treti dhe unë. Më tepër ka qenë i apasionuar vëllai i dytë që nuk jeton më, Ndoc Gjoni. Unë fitova disa ndeshje edhe e vazhdova boksin deri që u mbyll boksi në Shqipëri. Deri në 35 vjeç kam luajtur basketboll me Vllazninë dhe kam qenë lojtar mesatar. Vëllau i dytë Ndoci kur u kthy nga ushtria se u shkri Partizani e quan në Korçë. Pastaj u arratis në Jugosllavi por nuk arriti të shkonte dhe e kapën. E kthyen masandej pas një muaji dhe bëri 12 vite burg në burgun e Burrelit deri sa doli në vitet ’80. U fut në punë por prapë nuk rezistonte ndaj asaj kohe dhe tentoi prapë të ikte dhe sipas gjitha informacioneve është vrarë në kufi. Ne nuk dimë ende ku i ka eshtrat.
SHTËPIA
Pjesën më të madhe të sportit dhe të jetës time ia dedikoj familjes për arsye se unë kam qenë një person që nuk kam ditur sa bën as një kilogram bukë. Në shtëpi kam qenë i pavarur dhe nuk kam ndihmuar për asgjë sepse e kam pasur mendjen tek sporti dhe politika që jam marrë pak. Gruas ia dedikoj gjithçka. Edhe rrobat e stërvitjes i gjeja në çantë. Gretën, vajzën time e kam si shoqe. Shkoi në Itali dhe unë insistova të kthehej. Është shkolluar dhe arriti të bëhet nënkryetare e PD në Shkodër dhe kryetare e këshillit të qarkut. Unë kam qenë si të thuash anti komunist. Kam qenë gjithmonë në ballë të protestave pavarësisht se nuk kam kërkuar as post as kurrgjë. Më kanë ofruar boll poste, nuk kam pranuar. Deri sa të jem i zoti me dalë deri te dera e oborrit, në palestër do të jem aty. Dëshira është që të jem në palestër deri sa të mos mundem më.
Tek kjo shtëpi kam hyrë në vitin 1997. Në 1998 në kohën e rrëmujave në katër të natës ka ardhur garda e republikës. Unë kam qenë fjet. Erdhi vajza dhe më zgjoi. Dola në oborr dhe pashë policinë, ishte mbushur në katër anët me policë. Më kanë çuar në komisariat në Shkodër dhe më pas në Tiranë. Atje kam qëndruar 10 ditë. Akuza e parë ishte për armëmbajtje pa leje. Më pas më kanë çuar në Berat i lidhur këmbësh e duarsh. Kur erdhi avokati gjoja për të më nxjerrë më solli akuzën tjetër se gjoja kisha marrë pjesë në luftën që u bë tek Ura Vajgurore dhe më thanë se kam vrarë 7 policë dhe se ke drejtuar ti atë luftë. U interesova edhe ajo datë për të cilën më akuzonin ishte koha kur unë kisha qenë në Itali në Lojërat Mesdhetare si trajner boksi me ekipin kombëtar. Më 15 shtator ishte bërë lufta ndërsa unë kam ikur me 6 shtator dhe jam kthyer me 20 shtator. Më sollën lirimin dhe më thanë pastaj që je mbajtur në burg politikisht. Kishin shkruar gazetat e majta se gjoja ka qenë një tjetër dhe se kishin ngatërruar person gjoja se unë isha sozia e atij tjetrit, gënjeshtra kot.
KISHA MADHE
Iniciativa e popullit dhe e priftërinjve për të shkuar në Komitetin e Partisë së Punës me kërku Kishën e Madhe sepse ishte kthyer në pallat sporti. Se kisha u rrethonte nga Garda e Republikës dhe u ruante por me presionin tonë dhe të priftërinjve na i dhanë çelësat. Gjëja më historike e kësaj kishe është ardhja e Nënë Terezës në vitin 1992. Ka qenë një dyndje e madhe e popullit pa dallim. Kanë marrë pjesë gjitha komunitetet fetare. Ka pasur aq shumë popull sa nuk mund të lëvizje. Ne kishim shumë siklet për ta futur Nënë Terezën brenda sepse ajo kishte aparat në trup.
Erdhën gjithë të rinjtë, gjithë të fortët e Shkodrës erdhën për të bërë një rrumbullak në mënyrë që Nënë Tereza të futej brenda. Ne na kishte ardhur sinjali nga Tirana se do vinte Nënë Tereza por duheshin masat e sigurisë se Nënë Tereza nuk pranonte në asnjë mënyrë të shoqërohej me polic. Kishim lajmëruar djem të fortë nga të dy krahët, katolik dhe mysliman, djem të ri, mundës të fuqishëm dhe kishim lajmëruar shokë dhe miqtë tanë për ta mbaruar këtë mision. Foton me Nënë Terezën e kam bërë në drekën që kemi pasur tek Atë Zef Pllumi. Shoqëruesja e saj një doktoreshë nuk donte të bëja foto por un insistova dhe e bëra. Kemi hapur më pas Caritasin dhe me radhë gjëra të tjera Kur na shihte na njihte menjëherë dhe na thërriste me emra dhe na përqafonte si të ishim njerëzit e saj.
PALESTRA
Në vitet ’90 kur filluan këto lëvizjet, pasi u hapën kishat dhe xhamitë u lejua edhe sporti i boksit. Kam vijuar si trajner. Dëshirë në atë kohë e të rinjve ishte e madhe pavarësisht kushteve që kishim. Për të bërë një ring u donte të gjenim hekura dhe shkopinj që t’i ngulnim në tokë dhe të vendosnim litarin thjeshtë një ring primitiv. Ashtu e kemi filluar. Sot është një krizë për rininë në gjitha drejtimet. Dikur na detyronin që të rinjtë të futeshin në ring dhe u gjakosnin me boksierët që kishim vetëm për t’i larguar ndërsa sot vijnë në palestër përgatiten dhe sapo bëhen 18 vjeç marrin rrugët e emigracionit. Kur kemi filluar në fillim vitet ’90 kam marrë pjesë në gjithë protestat duke qenë në ballë të tyre. Kemi mendu se u hapëm shpejt por Dom Simon Jubani thoshte asokohe se shqiptarët gabuan sepse u donte që demokracia të vinte me pikatore, pak nga pak kurse tek ne shpërtheu, u prish. Sot dihet gjendja e mjerueshme komplet. Çdo i ri mezi pret që të ikë dhe jemi bërë si vendet e Afrikës dhe vetëm ikin. A e din çfarë pengut kam, kam peng që nuk di ku i ka eshtrat vëllai im. Ky është pengu im!