
Qeveria shqiptare ka vendosur këtë të hënë t’i akordojë një ndihmë financiare prej 1 milionë lekësh familjes Arjan Salës, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e zjarri që i përfshiu magazinën te qendra tregtare “Casa Italia”. Vendimi i qeverisë hyn menjëherë në fuqi, teksa paratë do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.
“Këshilli i Ministrave vendosi: Dhënien e ndihmës financiare, në shumën 1 000 000 (një milion) lekë, familjes së Dëshmorit të Atdheut Arjan Sala, i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetëve të personave të rrezikuar nga zjarri i rënë në mjediset e tij të punës, në datën 24 mars 2021.
Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky vendim vjen vetëm pak orë, pasi Arjan Sala u shpall sot “Dëshmor i Kombit”, pasi 32-vjeçari sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar kolegët e tij. Bëhet fjalë për rreth 20 persona, mes tyre edhe bashkëshortja. Certifikata iu dorëzuar ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama familjes Sala, e cila ka hapur dyert e mortit.