Nën shembullin e shtetit privat të kryeministrit po ecën edhe qeverisja vendore e uzurpuar nga votimet farsë të 30 qershorit 2019. Me një akt të njëanshëm, pa konsultim me bashkitë e Shkodrës e Lezhës, Këshilli Bashkiak i Vau- Dejësit, miraton rritje të tarifës së depozitimit të mbetjeve në landfillin e Bushatit në masën 43%.
E përkthyer në shifra konkrete, nga 863 lekë të rinj në 1500 lekë të rinj për ton mbetje të depozituar. Kosto kjo, që rëndon direkt në xhepat e banorëve të Bashkisë së Shkodrës dhe në një kohë me vështirësi të shumta ekonomike, papunësisë dhe izolimit për shkak të pandemisë.
Vetëm për vitin 2021, qytetarët shkodranë duhet të paguajnë 26 milion lekë të rinj më shumë, para që nuk dihet se për çfarë do të përdoren dhe ku do të përfundojnë.
Mungesa e shprehjes së ligjshmërisë për vendimin e Këshillit Bashkiak nga ana e Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, konfirmuar kjo me shkresë, shton hijet e dyshimit për këtë vendim që shkon kundër interesave të shkodranëve, lezhjanëve, kurbinasve e më tej.
Shkurt, vendimin 50 datë 25.08.2020 të Këshillit Bashkiak Vau- Dejës, nuk ka detyrim ta zbatojë askush sepse nuk ka mbërritur asnjëherë për shprehje ligjshmërie në tavolinën e Prefektit të qarkut, ashtu siç e parashikon ligji.
Është një vendim abuziv, i një organi me legjitimitet në diskutim, siç janë të gjitha këshillat bashkiakë të dalë nga “30 qershori”, për të cilën shumë shpejt do të shprehet edhe Gjykata Kushtetuese.
25 prilli është afër! Kjo datë është një mundësi konkrete për ti dhënë fund një qeverisje abuzive dhe nëpërkëmbëse 8 vjeçare ndaj Shkodrës. Njëkohësisht edhe zgjatimeve të saj dramatike për qytetarët që u shtrinë në të gjithë vendin pas 30 qershorit 2019. /Nga Greta BARDELI, ish- kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër, nënkryetare e PD Shkodër/