Shumë herë kam shkruajtur për 7 marsin. Sigurisht, mendimi i parë që më vjen, është për nënën time (pushoftë në paqe). Çdo nënë është mësuesja e parë e çdo fëmijë por në rastin e nënën time, ajo ka qenë vertetë mësuese në profesion. Nuk ka qenë një mësuese e zakonshme por e para që mori këtë profesion ndë gratë e Malësisë së Madhe. Kontirbuoi mëse 40 vite në arsim, duke qendruar gjithmonë brenda “vijave të verdha” të qytetit për shkak të përkushtimit, profesionalizmit dhe rigorozitetit në mësimdhënie. Vazhdoj të ndjehem krenar edhe sot, kur ka disa vite që është larguar nga kjo jetë kur ish- nxënës të saj, flasin me respekt për mësuese Anën e “7 Nëntorit”, e cila maksimumi i mirënjohjes që mori nga ky ishtet ishte 18.900 lekë të reja pension.
Natyrisht, më vijnë më mendje këtë ditë shumë mësues që më ndërtuan si individ hap pas hapi. Kujtoj mësuese Lalin e klasës së parë, mësues Markun e klasës së dytë, mësuese Shpresën e klasës së tretë (shkolla “Branko Kadia”) mësues Dashamirin e klasës së katërt tek “10 Korriku” (sot “Skenderbeg”, mësuese Mrikën përherë kërkuese në matematikë (mësuese kujdestare në 8- vjeçare tek “7 Nëntori” (sot “Ismail Qemali”) për të vijuar me profesoreshë Hatijen për 4 vite tek “Jordan Misja”.
E kam përsëritur edhe më herët, kam qenë me fat jo vetëm për mësuesit, shkollat por edhe sistemin arsimor që na formoi edhe përtej dijeve të librave, pikë së pari, edukatë, mirësjellje, respekt për këdo. Unë por edhe shumë të tjerë, jemi sot fryt i punës së dhjetra mësueseve që na kaluan stafetë nga njëri tek tjetri, me shumë përkushtim, ndershmëri e kur duhej, edhe me rreptësi.
Sot, nëse shpërblimi për punën është në nivele të kënaqshme, ajo që duhet rritur e shtuar, është përkushtimi, ndershmëria në mësmidhënie e mbi të gjitha, raporti nxënës- mësues. Jam i vetëdijshëm se nuk është e lehtë. Kanë kaluar mbi 3 dekada mes meje dhe bashkëmoshatarëve të mi si nxënës dhe nxënësve të sotëm. Shumëçka ka ndryshuar, diku për mirë e diku tjetër për keq. Kjo është sfida e vertetë me të cilën besoj se duhen përballur mësuesit. Në pamundësi për të zeruar të këqijat, të paktën ti minimizojmë, ti bëjmë të padukshme.
Sot shkruaj jo vetëm si ish- nxënës, djalë i një ish- mësueseje të shkëlqyer (sipas vetë ish- nxënësve të nënës sime), si gazetar por edhe si i diplomuar dhe me titull “Mësues i Matematikës dhe i Fizikës”, profesion që prë arsye që tashmë i dinë të gjithë ata që më njohin, nuk e ushtrova kurrë. Vetëm praktika në shkollën 8- vjeçare dhe të mesme, gjithsej 5 javë, nuk mund të konsiderohet ushtrim i këtij profesioni, i cili meriton tërësisht përcaktimin fisnik.
Atje ku janë, në qiell, në pjesën më të përzgjedhur të parajsës, dua të uroj nënën time, mësuesit e mi që nuk janë mes nesh këtë 7 Mars, të gjithë mësuesit. Me një përjashtim të vogël për ata mësues, të cilët që në ditën e parë të punës, e kanë parë vetëm si një mundësi për të marrë një rrogë të mirë (sot të paktën) pa u merakosur për misionin që duhet të përmbushin për të sotmen e të nesermen e këtij vendi. Gëzuar 7 Marsin të gjithë shqiptarëve! /Nga Blerti DELIJA/