Ka disa ditë që disa zëra kritikë ndaj Ramës kanë zgjedhur argumentin e gabuar për ta sulmuar Ramën: islamofobinë.
Ish-deputeti Klevis Balliu, analistët Agim Nesho e Agron Gjekmarkaj kanë shprehur shqetësim për raportet e Ramës me Turqinë dhe financimin nga ana e saj të ndërtimit të xhamive. Kulmoi mbrëmë me brengën e Gjekmarkajt se pse objektet e kultit nuk po restaurohen me fondet e BE-së por me fondet e Turqisë.
Problemi nuk qëndron tek islamofobia e hapur apo subkoshiente e Balliut, Neshos apo Gjekmarkajt, sepse ata kanë përgjegjësinë e tyre personale, por te perceptimi i gabuar se ata përfaqësojnë qëndrimin e PD-së për çështje të tilla.
Natyrisht, secili nga këta e përfaqëson PD-në aq sa ç’e përfaqësoj unë. Aq më tepër që linja zyrtare e PD në raportet e saj me Turqinë apo myslimanët e Shqipërisë nuk kalon në asnjë rast përmes islampfobëve.
Duke u munduar të sulmojnë Ramën me argumenta parizienë, zotërinjtë në fjalë e kanë ndihmuar atë pa qenë e nevojshme. Sepse kanë bërë shumë myslimanë shqiptarë të harrojnë luftën e pakompromis ka bërë ai ndaj tyre sa kohë ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
Rama është trashëgues i Partisë së Punës dhe në asnjë rast as ai, as partia e tij nuk kanë kërkuar falje për ndalimin e fesë me kushtetutë, shkatërrimin e mbi 2000 objekteve të kultit dhe vrasjen e burgosjen e qindra klerikëve.
Nuk kanë zhdëmtuar veçanërisht bashkësinë myslimane për pronat e panumërueshme që i janë shtetëzuar dhe grabitur. Ne nuk e harrojmë idenë e Edi Ramës që xhaminë “Et’hem Beu” ta zhvendoste nga qendra e qytetit.
Nuk harrojmë pengesën e tij për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës deri në 2011, kur pa se po i lëkundeshin pozitat. Dhe së fundmi, nuk do ta pranojmë kërkesën e ministrisë së tij të kulturës dhe bashkisë së Tiranës për ta shndërruar xhaminë “Et’hem Beu” në muze.
Por që këto të mos harrohen vërtetë këta islamofobë nuk duhet të flasin për raportet e Shqipërisë me Turqinë apo me botën myslimane, sepse janë të helmatisur nga islamofobia që kanë përbrenda. Si dhe minimumi, duhen detyruar të deklarojnë se këto qëndrime nuk përfaqësojnë PD-në, por janë qëndrime personale. /Nga Vehap KOLA/