Një tjetër ndriçues dekorativ në qytetin e Shkodrës është dëmtuar nga individë të papërgjeshsëm. Mëngjesin e sotën, në Pedonalen e qytetit, në afërsi të Kafes së madhe, një shtyllë e ndriçimit publik është gdhirë e shtrirë për tokë. Me shumë mundësi, faji do të ketë qenë i shtyllës. Siç është e lehtë të hamendësohet, shtylla duhet ti ketë dalë para ndonjë makine dhe rezultati shihet nga fotot…
Këto ndriçues, janë pronë publike, do të thotë, e të gjithë banorëve të Bashkisë së Shkodrës. Për ti vendosur aty ku janë, janë përdorur paratë e mbledhura nga qytetarët shkodranë përmes taksave apo tarifave. Sigurisht, ky ndriçues do të zëvendësohet. Përsëri do të përdoren paratë tona. Por a do të ishte më mirë të shtohet diku një tjetër apo të shpenzohen paratë për të zëvendësuar ndriçuesin e dëmtuar nga persona të papërgjegjshëm?!
Edhe disa javë më parë, në një tjetër pedonale të qytetit, një shtyllë i ka dalë sërish para një makine duke rënë përtokë. Më herët, një tjetër në afërsi të Prefekturës u dëmtua. Jo shumë kohë më parë, u vodh kablli i ndriçimit publik në rrugën e Shirokës. Ndoshta është momenti që dikush/disa të bëhen shembull, përveç zhdëmtimit të provojnë edhe masa të tjera ndëshkimore. Policia e Shtetit duhet të veprojë, aq më shumë kur rrugët e qytetit tashmë janë thuasje të gjitha të monitoruara me kamera. /ShkodraWeb Media/