Që në krye të herës, duhet të sqaroj “konfliktin e interesit” që do të ndikojë këto rreshta. Jam publikisht ndër personat që kam shprehur rezerva publike, endre pa u emëruar, për ministrat aktualë Besa Shahini, Gent Cakaj dhe Sandër Lleshi.
Argumentet jam përpjekur ti jap herë pas herë, kur kam shkruajtur e folur për ta. Megjithë respektin, Besa Shahini dhe Gent Cakaj, nuk ishin personalitetet më të spikatura në fushat e tyre për Kosovën që të bëheshin pjesë e qeverisë së Shqipërisë. Dhe kjo Shqipëria jonë, nuk i kishte të shuar të gjitha personalitetet e saj për të marrë dy “novelinë” pa eksperiencë, për të eksperimentuar në dy fusha me rendësi jetike për të sotmen e sidomos të ardhmen. E tani kur Shahini ka njoftuar largimin e sipas gjasave, edhe Cakaj është në të njëjtën rrugë, mund të ripohoj bindjen time: Lindita Nikolla, me të gjitha “mëkatet” e mundshme, është e pakrahasueshme me pasardhësen dhe, Ditmir Bushati është vite dritë para pasardhësit. Edhe po ta kishin qëllim, Shahini e Cakaj nuk mund të bënin më keq në postet e rëndësishme që iu besuan nga Rama.
Para pak orëve, edhe Sandër Lleshaj deklaroi se nuk do të jetë më ministër. Nga ndryshimet e pritshme të kësaj vjeshte apo diku pas vitit të ri, pak rëndësi ka kjo. E unë jam i bindur, ky është lajmi më i mirë që mund ti vinte këto kohë Shqipërisë nga qeveria shqiptare.
Dëmet që i janë sjellë sidomos Policisë së Shtetit nga drejtimi politik i saj nga një ish- gjeneral i ushtrisë, janë shumë të mëdha dhe kam frikë, afatgjata. E kam thënë dhe e përsëris bindjen time, Policia e Shtetit u transformua dhe sot është plotësisht, një forcë paramilitare. Prova më evidente, është qasja e Policisë së Shtetit ndaj protestave të opozitës. Shumë skena, janë të ngjashme pikë për pikë me sjelljen e policisë së Pinoçetit në Kili në vitet ’80. E si për koençidecë, edhe Pinoçeti ishte një ushtarak në drejtim të një vendit të Amerikës Latine.
Fatkeqësisht, Policia e Shtetit sot është tjetërsuar. Në nivelet e larta të saj, funksionarët vetëkonsiderohen nën urdhrat politikë të shefit politik të tyre, ministrit Lleshaj. Po ashtu, metodologjia e përdorur, përngjasin shumë me atë të ushtrisë, edhe pse Policia e Shtetit, ka vite e vite e shkëputur me ligj nga Forcat e Armatosura të këtij vendi.
Edhe nëse Ramës “i shndritet” mendja dhe largon tani nga detyra Sandër Lleshajn, do të duhet kohë që Policia e Shtetit të rikthehet në standardet profesionale të paktën të Fatmir Xhafajt. Ky opinion është i shumë drejtuesve e specialistëve të paktën në Policinë e Shkodrës. Do të duhen vite që policia të tërhiqet nga përdorimi politik, për interesa të ngushta të shefit politik të rradhës, duke iu bindur thjeshtë dhe vetëm ligjit. E hapi i parë, duhet të jetë spastrimi i rradhëve nga drejtuesit politik me uniformë policie, nga ata që arritën të fshehin zullumet e të kaluarës edhe në vetting, për të përfunduar me një ligj dhe instrumente të duhura për zbatimin e tij të barabartë.
Edhe nëse ikën sot, Sandër Lleshaj i ka bërë një dëm shumë të madh Policisë së Shtetit, Shqipërisë e shqiptarëve. Një dëm me kosto të lartë, fillimisht në kohë por edhe në financa. E sipas gjasave, të gjitha këto do ti duhet ti përballojë një qeveri tjetër, me ministra e kryeministër tjetër. Haraçet si gjithmonë, i kemi paguar, po i paguajmë e do ti paguajmë ne shqiptarët. Duke nisur nga gazi lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe paratë si taksapagues. /Nga Blerti DELIJA/