Nuk ishte një personazh i zakonshëm. Edhe jeta e tij, nuk ishte në ritmin normal të një njeriu. Jetoi vetëm 35 vjet. Shumë pak për një njeri. Por ndryshe nga shumëkush, i jetoi me “shpejtësi” marramendëse. U fut në “skenë” si një student nga Tropoja, të cilin pakkush e njihte. Doli nga “skena” duke shkaktuar një termet të mirëfilltë, në të gjitha kuptimet, me 12 shtator 1998.
Azem Hajdari njihet gjërërisht. Pavarësisht viteve që shkojnë duke e shtuar mungesën e tij fizike, në një mënyrë apo tjetër, ai është i pranishëm. Emri i tij është shënuar si Lider i Dhjetorit 1990, si kryetari i parë i partisë së parë opozitare në këtë vend, Partisë Demokratike, pas 45 viteve diktaturë. Ai është sot “Nderi i Kombit”, urdhri më i lartë që shteti shqiptar mund të japë pët një individ. Të gjitha ish- bashkitë e ish- komunat e vendit, me përjashtime shumë të vogla, e kanë “Qytetar Nderi” të tyre. Shumë shkolla, rrugë, sheshe e institucione, mbajnë emrin e tij. Emrin e tij e mban edhe i biri, Azemi i ri, që lindi pasi babai iku nga kjo jetë.
Azem Hajdari kishte një lidhje të veçantë edhe me Shkodrën. Doli deputet nga votat e shkodranëve, e kishte qytetin si shtëpinë e tij të dytë dhe madje, në një periudhë ishte edhe president i Vllaznisë së futbollit.
Si politikan por edhe si çdo njeri, Hajdari kishte dritë- hijet apo luhatjen e tij në qëndrime për çeshtje të ndryshme. Por ajo që e dallon nga shumë të tjerë, është se asnjëherë nuk mori asnjë portofol ministror nga 1992 deri në 1997, kur PD-ja e tij u largua nga qeverisja e vendit. Edhe pse besoj e mendoj, se askush nuk do të guxonte t’ia refuzonte dëshirën, nëse do ta kishte. Ishte mjaft kritik për çdo gjë dhe me këdo. Madje edhe me Sali Berishën dhe me PD- në në disa raste. Por asnjëherë nuk u shkëput, nuk u largua, nuk u distancua, edhe pse u detyrua të dorëzojë edhe imunitetin e deputetit, edhe kur u vu në krye të Sindikatave të Pavarura përballë qeverisë së Aleksandër Meksit.
Thirrjet “Azem, Azem, ti je gjallë” frymëzuan për shumë vite opozitën e djeshme. Edhe përmes simbolit të Azem Hajdarit, mijëra demokratë iu drejtuan kutive të votimit në 2005- ën për të rikthye në qeverisje për 8 vite Partinë Demokratike.
Edhe sot, pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, edhe pse në opozitë prej 7 vitesh, janë të shumtë ata që kujtojnë Azem Hajdarin, janë dhe mbështesin PD- në edhe si një amanet i tij. Po ashtu, ka edhe nga ata, të cilët nuk janë më në të njëjtat pozicione me PD- në, edhe për shkak të “ikjes ka kthim” të Azem Hajdarit.
Janë të paktën 5 tentativa të njohura publike për ti prerë rrugëtimin e tij në politikë e në jetë. Veçanërisht pas vitit 1997, edhe gjatë Luftës së Kosovës ku Azemi nuk kurseu asgjë, ihte shënjestër e atentateve. Madje, edhe në ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të ardhura tek nata e 12 shtatorit 1998…
Kështu e kam njohur unë Azem Hajdarin. Si unë, edhe shumë të tjerë. Kush për shkak të profesionit e kush për shkak të pozicionit të tij brenda apo afër politikëbërjes dhe PD-së. E ndoshta këta pak rreshta, mund ti shërbejnë ndokujt. Sidomos atyre që nuk e kanë njohur, nuk e kanë takuar apo që vetëm lexojnë sot mbi atë, që unë e shumë të tjerë e kemi jetuar. /Nga Blerti DELIJA/