Nga Bardh SPAHIA, ish- deputet PD Shkodër
Rritja serioze e rasteve të të prekurve nga Covid-19, padyshim vjen edhe nga mosrespektimi rigoroz i protokollit antiCovid, mbajtja e maskës, distancimi fizik dhe higjiena. Por zgjidhja nuk mund të jetë thjesht gjoba. Edi Rama paralajmëron rritje të masës së gjobave, duke kërcënuar bizneset të parat. Asnjë fjalë për anëtarët e afërt të shpurës së tij, që as ndjesë nuk kërkojnë kur fiksohen në mbledhje partie në shkelje të ligjit. Ata i mbron kur janë në shkelje, njëlloj sic mbronte kriminelët që vetë i kishte futur në parlament e zyrat e shtetit. Sepse Edi Rama dhe shpura e tij janë mbi ligjin, ndërsa sanksionet për qytetarët.
Eshtë tejet shqetësuese që në këtë fazë të re të përhapjes së Koronavirusit, ende nuk ka një strategji. Spitalet e kryeqytetit po sprovohen në kapacitetet logjistike e njerëzore dhe kjo padyshim që sjell ulje të cilësisë së shërbimit e trajtimit të të sëmurëve. Në spitalet rajonale ende nuk janë funksionale repartet e specializuara për të përballuar trajtimin dhe të infektuarit sillen në Tiranë.
Deri kur? Si mundet që gati një vit nga shfaqja e Koronavirusit në Shqipëri, e vetmja strategji e “punë” publike të jetë kërcënimi me gjoba? Kryeministri dhe ministrja sillen si inspektorë shëndetësie, kur në fakt duhet të bëjnë politika dhe strategji menaxhimi të situatës me skenarë të ndryshëm dhe këto t’i ndajnë me publikun. Nuk e kanë bërë asnjëherë në këto 11 muaj sepse nuk kanë patur të tilla.
Por është krejt i dukshëm impenjimi që kryeministri ka për të dizenjuar maska për fushatë vaksinimi, e kombinuar kollaren me atë maskë. Eshtë cinike dhe e papërgjegjshme si sjellje! Eshtë tallje me qytetarët që presin që qeveria të bëjë detyrën e t’u gjendet kur u rrezikohet shëndeti! Më 25 Prill qytetarët do zgjedhin qeverinë që u shërben, duke larguar atë që i braktis!