Prokuroria e Tiranës ka lëshuar katër urdhër arreste të tjera për punonjës të spitalit “Shefqet Ndroqi”, të cilët dyshohet se kanë lidhje me skandalin e bërë publik pas arrestimit të sanitares Tire Alldervishi, që i zhvati 8 milionë lekë të afërmes së një pacienteje me Covid. Në pranga kanë rënë tre infermiere të spitalit dhe një sanitare. Kështu, në pranga kanë rënë infermieret Mira Bushi, Sheqerie Koçi dhe Sidorela Çela, si dhe sanitarja Rukie Hoxha.
Ndërkohë, 58-vjeçarja Tire Alldervishi u arrestua pak javë më parë, pas denoncimit në një emision investigativ, ku rezultonte se ajo iu kishte zhvatur 8 milionë lekë familjarëve të një pacienteje me koronavirus, por që kësaj të fundit nuk i kishte bërë asnjë shërbim, duke mos i dhënë as bukë, derisa ajo kishte humbur betejën me virusin e rëndë.