
Rrëmuja dhe paligjshmëria e Rilindjes është edhe më e rëndë në njësitë vendore dhe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit po keqpërdoret edhe pushteti vendor. Ilustrimi më i ri është Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës, që merr përsipër një vendimmarrje të paligjshme, me rritjen me 43% të tarifës për depozitimin e mbetjeve urbane në landfill për banorët e qarqeve Shkodër dhe Lezhë.
Dhe nuk mjafton me kaq: Ai vendim i paligjshëm nuk i dërgohet prefektit siç e parashikon ligji, e për pasojë nuk zbardhet e as merr fuqi ligjore. Por kjo nuk i pengon përfaqësuesit e paditur të Edi Ramës në Vaun e Dejës që t’i dërgojnë atë vendim Bashkisë Shkodër e ta njoftojnë se qytetarët shkodranë duhet të paguajnë një rritje tarife prej 43 % për mbetjet që u depozitohen në landfillin e Vaut të Dejës.
Ministria e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Prefekti i Qarkut Shkodër dhe vetë Këshilli Bashkiak i Shkodrës në qoftë se nuk janë pjesë e kësaj afere korruptive, duhet të reagojnë për të anulluar këtë vendimmarrje të errët, që dëmton qytetarët dhe bizneset e dy qarqeve.
Rritja e kësaj tarife ka konotacion të dukshëm elektoral sepse do bjerë mbi qytetarët dhe bizneset e Shkodrës, si një abuzim i pastër me pushtetin për llogari afatshkurtra. Një akt tendencioz që bëhet 3 muaj para zgjedhjeve dhe dëshmon përdorimin flagrant të shtetit për interesa elektorale. /Nga Bardh SPAHIA/