Shumë po flitet këto ditë për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit që vjen. Palët sjellin argumente e kundërargumente, flasin për demokraci e liri zgjedhje të zgjedhësve edhe brenda listës së një subjekti politik, për “frymëmarrje” të demokracisë e të tjera broçkulla si këto, a thua se këto 34 vite, artikuluesit e këtyre ideve nuk kanë jetuar në këtë vend.
Në fakt, është vetë sistemi i sanksionuar në Kushtetutë që kushtëzon mbajtjen mbyllur të listave të subjekteve politike ditën e zgjedhjeve. Nga 2008- a, Shqipëria nuk është as republikë parlamentare e as presidenciale apo gjysmëpresidenciale. Ndryshimet e atij viti dhe disa të tjera më të vockla në vijim, kanë krijuar një republikë kryeministrore.
Fati i qeverisë, parlamentit dhe institucioneve kryesore të shtetit, është i lidhur me fatin e kryeministrit. Askush nuk mund të bëjë sikur nuk e di apo nuk e kupton. Deputetët në Kuvend, automatikisht kthehen në vota në sherbim të kryeministrit, kujtdo kryeministri, pavarësisht ngjyrës, të paktën nga 2008- a. Sepse nëse bie kryeministri, automatikisht pas qeverisë, bie edhe Kuvendi, i cili hyn në zgjedhje brenda 45 ditëve.
I vetmi institucion i rëndësishëm që teorikisht mbetet në këmbë, është Presidenti. Edhe ky, në pjesën dërrmuese të rasteve, kur nuk ka qenë produkt konsensual, ka qenë thuasje një zyrtar i varur nga kryeministri i radhës. Ç’ vlerë ka që deputetët të caktohen nga zgjedhësit kur me ta, edhe sipas Kushtetutës, nuk i lidh asgjë?! Lidhjen e vetme zyrtare dhe jo zyrtare, e kanë me kryeministrin!
Pa llogaritur se kryeministri apo kandidati për kryeministër, i cili është përgjithësisht edhe kryetar i partisë që propozon listat e kandidatëve për deputetë, i përzgjedh me kujdes emrat, nga të sigurtët deri tek ata që thjesht do të mbushin radhët e fletës propozuese. Ata që i duhen, kryeministri apo kandidati për kryeministër, i vendos në vendet e sigurta. Por edhe të tjerët, nëse futen për një arsye apo tjetër, vazhdojnë të jenë besnikë të kryeministrit. Këtë kanë treguar përgjithësisht këto 34 vite.
Atëherë çfarë vlere ka të hapen listat dhe zgjedhësit të votojnë X apo Y kandidat? Asnjë! Të gjithë kanë qenë, janë e do të jenë besnikë të kryeministrave apo kandidatëve për kryeministët të radhës. Përveç se, kur ka shkundje të forta brenda partisë, zakonisht në opozitë. Siç është edhe rasti më i fundit në politikën shqiptare. Atëherë merr vlerë hapja e listave.
Lini partitë në punët e tyre. As na kanë pyetur, as na pyesin dhe as nuk do na pyesin ndonjëherë. Interesat e tyre në shumicën dërrmuese, ecin në drejtim të kundërt me interesat e zgjedhësve. deri sa të konvergojnë, lini këtë sistem që kemi. “Lala Kros, vetë fol e vetë vulos”. Të paktën jemi bashkëfajtorë vetëm për përzgjedhjen e logos së partisë. Punët e tjera, më të vështira, i dinë kryetarët e partive. /Nga Sokol N. SOKOLI/