Edhe draft- opinioni i Komisionit të Venecias për Presidentin Meta lidhur me “30 qershorin”, si gjithë të tjerët që vijnë nga jashtë Shqipërisë: As mish, as peshk!
Fjala “shkelje” nga “tejkalim” i kompetencave siç shprehet Komisioni, kanë një diference të madhe. Nga ana tjetër se ka një vakuum ligjor dhe në fund, pranohet se Meta nuk ka bërë një shkelje aq të rëndë sa të shkarkohet…?!
Meta është lënë nga “Venecia”, në një “gjendje” që perifrazohet mjaft mirë me “as nuk të vret, as nuk të fal”.
Opinioni i Komisionit të Venecias është më supremi për çeshtje kushtetutshmërie dhe ligjshmërie. Kjo, për të kuptuar se Meta, nëse nuk është i kënaqur me draft- raportin, nuk mund t’i drejtohet asnjë institucioni tjetër për një “mendje” ndryshe.
Ilir Meta është në një pozicion aspak komod. Draft- raporti i Venecias sugjeron që të mos shkarkohet nga Kuvendi për “zhdekretimin” e votimeve të 30 qershorit. Nga ana tjetër, Venecia është shprehur indirekt edhe për legjitimitetin e asaj që ndodhi ditën e fundit të qershorit në këtë vend. Në një farë mënyre, ka “shtruar rrugën” edhe për Gjykatën Kushtetuese, kurdo të ngrihet, për të ecur në të njëjtën linjë vendimmarrje.
Ilir Meta duhet të dorëhiqet si President i Republikës! Nëse konfirmohet draft- opinioni që po qarkullon, ai duhet të lirojë karriken e kreut të shtetit. Nëse për pjesën ligjore “vulën” ka nisur t’ia vendosë Venecia, Komisioni Hetimor, Kuvendi e në fund Kushtetuesja, pjesën morale e ka në dorë (madje e ka deklaruar publikisht) vetë Meta. Draft- opinioni i Venecias, moralisht e detyron të lirojë zyrën e Presidentin. Arsyet nuk janë të shumta, por që nga mbrëmë njëra do ti qëndrojë si “Shpata e Demokleut” mbi kokë deri ditën e fundit të mandatit: Çdo veprim i tij në relacion me mazhorancën aktuale, jo vetëm do të paragjykohet por edhe do të anatemohet! Pra, do të jetë një Institucion i Presidentin edhe pa një peshë morale, pas humbjes së peshës ligjore. Praktikisht, një institucion sa për ti dhënë një rrogë dhe një post të rëndësishëm Ilir Metës.
Ka edhe një arsye jo pak të rëndësishme që Meta duhet të ikë vetë. Nuk duhet ti japë kënaqësinë Ramës t’a shkarkojë apo të mos e shkarkojë për lëmoshë. Sepse në fund fare, jo Ilir Meta por Institucioni i Presidentit, do të kthehej në një leckë për të pastruar atletet Edi Rama sa herë që do të kishte nevojë.
Ilir Meta është një “politikan race”, ndër të paktët që prej 30 vitesh ka qenë në krye, duke i rezistuar çdolloj sulmi nga të gjitha anët. Edhe për situatën më të fundit, jo vetëm ka bërë llogaritë mirë, por ka gati më shumë se një skenar veprimi. Pasi institucionalisht, duket se dështoi t’i vihej përballë dhe ta mundte Edi Ramën, mund dhe duhet ta bëjë këtë nga një pozicion tjetër, por jo më si President i Republikës. Pas opinionit të Venecias, i ka dhënë jo pak kosto një pozicioni që kishte krijuar traditën e të qënit mbi palët, të paktën në shumicën e rasteve, duke nisur nga Alfred Moisiu.
Nuk është aspak turp nëse Ilir Meta dështoi në përballjen institucionale me revanshin e Edi Ramës. Si çdo betejë tjetër, edhe në politikë ka fitore por edhe humbje. Aftësia e një politikani profesionist është pikërisht në inkasimin (term boksi në fakt) të goditjeve, humbjeve për t’u ringritur e rikthyer më fuqishëm. Kjo është sfida e vërtetë e Ilir Metës nga data 27 shtator 2019! /Nga Blerti DELIJA/