Ka disa ditë që kryeministri i vendit Edi Rama është futur në një “polemikë” me sfond nacionalist me një ministër të mikut të tij serb Vuçiç, pikërisht Aleksander Vulin. Në distancë, Rama dhe Vulin shkëmbejnë rregullisht akuza e kundërakuza me sfond nacionalisht, në këtë rast, një “faktor plus” në shërbim të imazhit të Edi Ramës.
Për vokacion, Edi Rama dhe nacionalizimi, mund të asiociohen po aq sa diktatura dhe demokracia. Por në këtë moment, Ramës i intereson veshja e kësaj parzmoreje. Fillimisht, nxjerr në hijen e harresës çështjen e kufirit detar me Greqinë. Nëse e vini re, kjo “patate e nxehtë” që ngriti peshë studiot televizive e selitë politike, nuk përmendet më.
Edi Rama ka nevojë të ngjajë si “nacionalist”. Akoma, janë të shumtë ata shqiptarë që vazhdojnë të kenë një ndjeshmëri të lartë, sidomos në raport me Serbinë e Greqinë. Kryeministri synon të marrë bonus, sado të vogël, por përsëri me synim rregullimin e imazhit të tij.
Ndërsa kryeministri shqiptar është angazhuar në vetë të parë, duke paralajmëruar edhe “nota verbale” ndaj qeverisë serbe, në Beograd ka heshtje totale. Vuçiç ka mandatuar sërish Brnabiç për krijimin e qeverisë së re “por nuk ka kohë” të veprojë: As “ti mbyllë gojën” ministrit të tij Vulin dhe as të replikojë me mikun e tij Edi Rama! A nuk ngjan mjaft e çuditshme kjo qasje e Aleksandër Vuçiç?! A nuk ngjan me një qokë për kryeministrin shqiptar nga homologu i tij serb?!
Prej shumë muajsh tanimë, Rama është përqendruar tek fushata elektorale, të cilën e ka nisur zyrtarisht. Ka zgjidhur “qesen” e shqiptarëve (sepse në fakt nuk është e tij) dhe premton rritje pagash sa për mjekët e infermierët, për mësuesit dhe me shumë mundësi, edhe për kategori të tjera si pensionistët. Premtimet nuk kanë asnjë kosto për Ramën por as edhe asnjë lloj ndjeshmërie për shqiptarët që akoma nuk kanë krijuar imunitetin e nevojshëm nga mashtrim- mashtruesit. Në 2013- ën, me LSI- në në krah, Edi Rama ia doli të vijë në qeverisje të vendit. Katër vjet më pas, kur askush nuk mund të demonstronte realisht një premtim të mbajtur nga Rama, shqiptarët i dhanën timon& tepsi i vetëm. E prandaj, nuk ësht aspak çudi që sërish të vijojmë me kujtesën kolektive “blic”, sa zgjat shkrepja e një aparati fotografik.
Megjithatë, Rama po përdor edhe “faktorin plus” të nacionalizmit. Sipas gjasave, deri më 25 prill, kryeministri do të ulë parajsën në tokë për shqiptarët. Mos e bëni çudi që të akordojë për çdo familje në fund të vitit, si “mbështetje për pandeminë” edhe nga 100 mijë lekë të vjetra për “gjelin e vitit të ri”. Mos u habisni nëse do të japë shpërblime fundviti për administratën. Rroga apo shpërblime dhe për bisnesin privat, mund të jenë pjesë e skemës së 25 prillit. Sepse Rama përsëri nuk ka asnjë kosto: Paratë janë të shqiptarëve e nëse arka e shtetit boshatiset para apo pas 25 prillit, nuk prish punë nëse borxhi është 85%, 90% apo 95%. Organizma financiarë, janë të gatshëm të të japin para me fajde për çdo shtet dhe kryeministër sado i papërgjegjshëm qoftë…
Por përsëri Edi Rama është i pasigurte. “Gropa” e sondazheve disfavorizuese, nuk mund të mbyllet vetëm me premtime ekonomike. Sidomos, kur pjesë e rëndësishme e tyre, janë copy- paste nga programi i opozitës së Lulzim Bashës. Duhet që shqiptarëve tu ngjallet sado pak nacionalizmi, të shohin tek Edi Rama vertetë një Ismail Qemal dhe jo vetëm në pamjen e jashtme. Me afrimin e 25 prillit, qasja nacionaliste e kryeministrit, do të njohë vetëm rritje. Nuk është aspak çudi ti shpallë luftë edhe Serbisë, edhe Greqisë njëkohësisht. Çdo gjë në funksion të karriges nga një internacionalist. Proletar ose jo, sipas dëshirës… /Nga Blerti DELIJA/