
Rasti i Adrianës, jetimes 27 vjeçare që rrëfeu episode rrëqethëse nga jeta e saj, na gjallur ndjeshmëri të lartë publike. Është normale dhe madje, shenjë e mirë. Pavarësisht telasheve e halleve të përditshme, shqetësohemi publikisht edhe për tjetrin.
Pasi ka dëgjuar një intervistë me zë dhe me figurë të së resë që rrëfente copëza nga fëmijëria e adoleshenca e saj, çdokush ka mundur të krijojë një ide, një perceptim. Secili, pasi e ka peshuar me mendjen e vet, ka arritur në një konkluzion. Ajo që grish më shumë, sidomos kur në mes është media si amplifikator, është e vërteta. Adriana rrëfeu apo aktroi?
Këtë frymë e verifikon lehtësisht edhe në rrjetet sociale. Ka qindra postime, mbështetur me argumente, se vajza rrëfeu të vërtetën e rëndë të jetës së saj. Ka edhe po aq të tjerë, edhe ata mbështetur në argumente, të cilët mendojnë se e reja aktroi sipas një skenari televiziv.
Për hir të realitetit, të duket se një format si “Dua të të bëj të lumtur”, nuk ka shumë lidhje me historinë e trsihtë të Adrianës. Edhe pse në fund, ka një “surprizë” pozitive për të. Po ashtu, mendoj se imazhi i vajzës duhej kriptuar nga televizioni. Edhe nëse ajo ka kërkuar të identikohet me dëshirë nisur edhe nga mosha e saj madhore, për sigurinë e saj për sot e sidomos për nesër, ajo nuk duhej identifikuar.
Nëse rrëfimi i vajzës është i vërtetë dhe këtë e kanë për detyrë ta zbardhin agjencitë ligjzbatuese e të sundimit të ligjit një orë e më parë, të gjithë ata që e kanë vënë në dyshim historinë e saj, duhet të bëjnë një “mea culpa” publike. Ashtu sç edhe nuk u kursyen me deklarimet anatemuese ndaj saj.
Nëse rezulton se vajza aktroi mbi një skenar me synim arritjen e audiencës televizive, forca e ligjit dhe e moralit do të duhet të bjerë fillimisht mbi median e më pas, edhe mbi vetë vajzën. Duke shpresuar që vetë vajza nuk ka ndërmarrë një “lojë” për të “vënë në sherbim” për arsye që vetëm ajo i di, një media kombëtare. Nëse do të ishte kështu, do të ishte shumë e rëndë. Sepse siç e thamë, historia e saj ka ngjallur ndeshmëri shumë të lartë, plazmuar në qindra komente e postime publike.
Kjo ngjarje mund të sherbejë për të gjykuar mbi fenomenin. Askush nuk mund të thotë se nuk ekziston në Shqipëri. Edhe më herët ka patur raste, sipas gjasave do të ketë edhe më pas, por duke shpresuar të jenë sa më të pakta.
Dy rreshta edhe për Adrianën. Një bashkëmoshatar i saj, mu shpreh sot se të gjitha detajet e treguara nga ajo, janë të vërteta. Madje, me një kamera të fshehtë, ajo është regjistruar në 2015-ën duke bërë thuajse të njëjtat deklarime.
Përtej kësaj, mendoj se i vetmi person që nuk mund të gjykohet, është vetë Adriana. Ajo është viktimë! Sepse të jeni të sigurtë se, nëpër Shqipëri, ka edhe të tjera Adriana që nuk kanë akoma një zë. I vetmi “zbulim” që mund të bëhet kur kjo histori të marrë zgjidhje ligjore përmes drejtësisë është: Sa herë ishte víktìmë Adriana, para dhe pas pas daljes në kamera? Dhe mos harroni, të gjithë po “ia japim një dorë” që ti vështirësojmë jetën, e cila nuk është treguar aspak bujare me të. Të paktën, nga ajo që kemi parë e dëgjuar deri tani! /Nga Blerti DELIJA/