Fatmirësisht, njëra nga nga vajzat e familjes Josifi ka mbijetuar. Urojmë të ketë shpejt shendet të plotë, jetë të gjatë dhe të rinisë jetën edhe në emër të kujtimit të nënën dhe motrës që nuk janë më.
Këto rreshta, detyrim për çdo njeri normal, besimtar ose jo, praktikant ose jo i një besimi fetar. Aq më shumë kur opinioni është mbasur gjërë e gjatë, edhe me ndihmën e “gjithologëve” me opinione pro e kundër këtij apo atij besimi.
Në botën që jetojmë, nuk ka shumë nevojë të jesh “gjitholog” për të dhënë një mendim për ngjarjen e rëndë të familjes Josifi. Fati i pjestarëve të saj, me një mbiemër ose jo, duket se ka qenë në kufijtë e tragjikes. Kryefamiljari, dhëndrri e tani nëna e njëra nga vajzat që largohet nga kjo jetë në mënyrë, së paku, misterioze.
Në këtë botën tonë globale, pjesë e të cilës jemi edhe ne, në të qindat e sekondës gjen informacione nga më të ndryshmet. Krijon ide dhe perceptime por vazhdon të jetë e veshtirë gjetja e të vërtetës. E prandaj sot mburremi me “të vërtetën time”, e cila në fakt mund të jetë gjysmë e vërtetë, dezinformim ose gënjeshtër.
Me një kompjuter përpara, të lidhur me internet, futesh e lundron deri në fundosje në morinë e informacioneve. Përzgjedhja dhe përpunimi, është sfida më e madhe. E këtu nuk po flas thjeshtë për “fake news”.
Bashkë me njeriun, sipas disa hipotezave edhe para tij, erdhën në botë edhe besimet fetare. Pavarësisht periudhave “të errëta” që të gjitha besimet i kanë në ecurinë e tyre mijëra vjeçare, në ditët që jetojmë sot, klerikët vullnetmirë janë të prirur të predikojnë të mirën, virtytin, të moralshmen. E sot, të gjithë bien dakort në një pikë të paktën: “Jetën ta jep vetëm Zoti dhe vetëm ai ka të drejtë ta marrë”. Bazuar në këtë parim, shumica e shteteve mbi sipërfaqen e botës, i hoqën të drejtën drejtësisë njerëzore të marrë jetën e një të ngjashmi. Por sigurisht, në përballjen e përjetshme me s të mirës e të keqes, është e pamundur që jeta të përfundojë vetiu, gjithmonë dhe vetëm me vullnetin e Zotit.
Në historinë tragjike të familjes Josifi, u identifikua një besim apo sekt fetar. Fillimisht me ndrojë e më pas, me vetëdenoncim: Dëshmitarët e Jehovait. Ishin përfaqësues të kësaj organizate që u distancuan nga ngjarje, duke thënë se nëna dhe dy vajzat e saj nuk kanë qenë asnjëherë pjesë.
Se çfarë janë Dëshmitarët e Jehovait, është e lehtë të mësohet. Kanë faqen e tyre zyrtare në të gjitha gjuhët e botës (edhe shqip) e sigurisht, ka me mijëra artikuj, intervista, dëshmi. Janë një sekt fetar relativisht i ri, i krijuar diku në vitin 1870 dhe që sot, në të gjithë globin, ka rreth 8.6 milion ndjekës. Më të famshmit, Majkëll Xhekson njëra nga motrat Uilliams të tenisit.
Në Shqipëri, kanë nisur të penetrojnë në fillim të viteve ’90, pa patur një bazë si besimet e tjera tradicionale, të krishterët e myslimanët, me ndarjet e tyre. Në fillimet e tyre, edhe në Shkodër, morën me qira ambiente kryesisht të shtëpive private të vjetra. Organizonin takime, këndonin e kërcenin dhe ofronin diçka për të t’u ushqyer apo freskuar. Më pas, filluam ti shohim rrugëve, minimalisht dy vetë bashkë, të veshur me kostume shik, kryesisht mosha të reja. Jo rradhë ju kanë trokitur edhe në derën e shtëpisë, ndërsa “Kulla e Rojës”, revista që ato botojnë, ishte shpesh e lënë në pragun e derës.
Në këtë periudhë të shkurtër të aktivitetit të tyre, çdo shqiptar ka krijuar një ide, një perceptim edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Natyrisht, edhe organet e specializuara ligjzbatuese të këtij vendi, si edhe për besimet e tjera, duhet të kenë bërë analizat e tyre. Prandaj sot, është e kotë të drejtohet ose jo gishti mbi Deshmitarët e Jehovait. Nëse është e nevojshme, duhet ta bëjë drejtësia njerëzore, e cilat duhet të jetë e ftohtë dhe e paanshme jo vetëm për Dëshimtarët e Jehovait por për çdo besim tjetër apo përfaqësuese të tyre. Sepse në këtë sistem, përgjegjësia është dhe duhet të jetë individuale.
Vit pas viti, në botën njerëzore ka një garë të pashpallur në mes besimeve. Statistikat e besimtarëve sipas besimeve fetare, publikohen edhe nga mediat më prestixhoze e institucione të rëndësishme ndërkombëtare.
Pavarësisht se nuk ka statistika publike në Shqipëri, edhe këtu gara është e njëjtë, por të dhënat janë të rezervuara. Konvertimet nga një besim në tjetrin, ikja nga një besim dhe shkuarja në një besim tjetër, rikthimet, janë një nga statistikat që ngjallin edhe xhelozi. Ashtu siç sot e kësaj dite, pas vitit 1990, vazhdojnë të paguhet njerëz, nga të gjitha besimet pa përjashtim, për të demonstruar besimin në veshje, pamje, rituale etj. Mendjehapurit, mendjendriturit, ata që besojnë edhe pa qenë praktikant në një Zot, në shumë raste bëjnë zgjedhjen e tyre. Të paimponueshme nga njerëzorët, me apo pa petk fetar veshur! /Nga Blerti DELIJA/