Në përmbytjet e 2010- 2011- ës kam parë rastin e një gruaje shtatzënë e cila u desh të transportohej në varkë për në Sspitalin e Shkodrës sepse i kishte ardhur koha e lindjes dhe Oboti (fshati nga ishte gruaja) ishte i izoluar dhe qendra shendetësore nuk kishte një mami’ që të kryente procesin në fshat në ato kohë aq të vështira.
Sot Oboti ka një mami’ të shkolluar dhe të licensuar, e cila prej 3 vitesh aplikon tek portali i famshëm i qeverisë për t’u punësuar por nuk ia “var” askush.
Po ku janë politikat shendetësore qeveritare? Po pse, vetëm qyteti ka nevojë për specialistë? A thua ka nevojë Oboti edhe për një mami’ në kohë përmbytjesh, të cilat tashmë janë bërë të çdovitshme dhe fshati Obot është i pari që izolohet totalisht?
Prej 40 vitesh Oboti nuk ka një specialiste mami’ sepse askush prej asaj zone nuk ka kryer studimet në këtë degë. Dhe sot, pas 40 vitesh, edhe pse vendi i punës është bosh, institucioni i Shendetit Publik “sorollat” nëpër portale të liçensuarit dhe nuk i punëson…
Një fjalë e urtë thotë “ç’e do gjurmën kur ke ujkun”, pse kërkoni në portale aspak efektive (sipas meje) kur një mamie të profilizuar dhe të liçensuar e keni pikerisht në Obot, aty ku më shumë se kurrë duhet një specialiste e tillë?
Marçelina Luani ka 3 vite që kërkon pozicionin e punës, por institucionet përgjegjëse anashkalojnë edhe nevojat që njerezit kanë duke u treguar indiferentë jo vetëm me specialistët por edhe me vetë banorët. Jo vetëm qyteti ka nevoja, ka edhe fshati, madje, më shumë se kurrë!
I bëj thirrje edhe deputetëve të Shkodrës, të të dyja krahëve, të jenë më të ndjeshëm ndaj problematikave që banorët kanë. Ata nuk kanë nevojë të shkoni e të beni foto me ta kur përmbyten, ata kanë nevojë për konkretizime dhe zgjidhje, të cilat janë të mundura kur vullneti është i mirë!
P.S. Sot fshati Obot ka 3 gra shtatzëna, njëra prej të cilave në muajin e 9-të. A do të ishte luks për këto nëna në pritje, të kenë të drejtën e një mamie në fshatin e tyre? /Nga Eliona KODRA SHKRELI, publikuar në Facebook/