OPINION – Nuk mund të ketë fashë me “çmim të kërcyer” për sa kohë nuk ka liberalizim real të tregut të energjisë

Sot, energjia elektrike është monopol i shtetit shqiptar. Përmes kompanive si KESH, OST dhe OSHEE, ruhet monopoli nga prodhimi deri tek klientët. Edhe energjia e prodhuar nga HEC- et e vogla, blihet nga kompanitë shtetërore, duke iu shpërndarë më pas klientëve me çmime që KESH&Co i gjykon të drejta.

Në 6- mujorin e parë të 2022- it, HEC-et e vogla apo private, arritën të prodhojnë 54% të energjisë së prodhuar në vend. Pra, gjigandët mbi drin si Fierza, Komani, Vau Dejësi apo edhe të tjerë, të menaxhuar e në pronësi nga shteti, prodhojnë më pak se gjysmën e energjisë së siguruar në vend me “forcat tona”.


Nuk ka asnjë dyshim, se çmimi i energjisë elektrike të prodhuar brenda Shqipërisë, mund të mbahet nën kontroll, përmes mekanizmave të ngjashëm me ato të çmimit të karburanteve. Aq më shumë, kur “de facto” dhe “de jure”, energjia elektrike është monopol i shtetit shqiptar. Aq më shumë, kur kjo energji e prodhuar në vend, ka si burim ujin që sjell turbinat.

Prej muajsh po flitet për një fashë minimale të konsumit të energjisë, brenda të cilës do të mbrojë konsumatorët shteti me çmime me humbje jo për xhepat e tij por të shqiptarëve. Sepse nuk humbet asnjë qeveritar apo zyrtar por shqiptarët mund të kenë më pak investime publike nëse çmimi i energjisë iu subvencionohet nga shteti. Kjo është e para gjë që duhet kuptuar nga të gjithë. E nëse futen në diskutim milionat e eurove më shumë në arkën e shtetit për shkak të taksës së karburanteve të rritur, si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve, me gjasë shteti nuk humbet asgjë me subvencionimin e energjisë elektrike.

Deri në 800 kilovat në muaj për familje, çmimi do të mbetet ky që është sot, i subvencionuar nga shteti për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Mbi këtë fashë, familjari do të duhet ta paguajë me çmimin e bursës. Konkretisht, ditën e sotme, një kWh energji është rreth 31 lekë të reja apo 310 lekë, gati trefish më shtrenjtë se çmimi që e shet sot shteti shqiptar.

Pse nuk mund të ketë një fashë me çmim të shtuar mbi konsumin 800 kWh? Sepse është diskriminim! Pikë! Pak a shumë, siç mund të konsiderohet edhe kufizimi i sasisë së bukës apo ujit për një familje. Nëse konsumon më shumë se një KG bukë në ditë, duhet të paguash më shumë apo nëse konsumon më shumë se 3 m3 në ditë ujë, duhet të paguash më shumë. Individët apo familjet konsumojnë aq sa kanë nevojë apo aq sa mund të paguajnë për një mall të caktuar. Nevojat e familjeve shqiptare, nuk mund ti përcaktojë dot një VKM apo ligj. Aq më shumë, kur energjia elektrike është monopol i shtetit, si i vetmi ofrues i këtij sherbimi- produkti për qytetarët.

800 kWh mund të tejkalohen edhe nga një familje e varfër me shumë fëmijë e sidomos në periudhë dimri. Ashtu siç mund të tejkalohen edhe nga një familje e kamur, e cila nuk ka arsye/logjikë për ta paguar më shtrenjtë të njëjtin mall, vetëm pse konsumon më shumë. Çdo gjykatë në botë, edhe në këtë nahijen tonë, mund ta rrëzojë një vendim të tillë absurd të qeverisë, qoftë ai edhe ligj.

Qeveria, siç ka ndodhur edhe më herët, mund të rritë çmimin e energjisë për të gjitha kategoritë por jo për ata që konsumojnë më shumë. Sepse po flasim për një vend tashmë në paradhomën e Bashkimit Europian dhe jo për një vend të “botës së tretë”. Nëse shqiptarët do të vazhdojnë të ulin kokën edhe në këtë rast, vertetojnë për të disatën herë se nuk janë të denjë për BE- në. /ShkodraWeb/