NGA ELONA CASLLI – Dhimbja nuk është sukses Aurela Gaçe dhe Evis Kushi…

Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe përmes një statusi në rrjetet sociale ka rrëfyer një ndodhi gjatë pushimeve në Lezhë në një kompleks turistik. Ky status është përshëndetur edhe nga Ministrja e Arsimit dhe e Sportit zonja Evis Kushi. Ndodhia mund të përmblidhet në pak fjali që vijojnë.

Këngëtarja e njohur shkon për pushime në një kompleks turistik në Lezhë. Aty takohet me dy mësuese që në sezonin e verës punonin në kuzhinë. Mësueset i kanë kërkuar këngëtares të bëjnë një foto me të dhe ajo ka pranuar. Mësueset kanë hequr uniformën e kuzhinës dhe kanë bërë foton. Aurela Gaçe thekson faktin se mësueset i janë dukur shumë të bukura me uniformën e kuzhinës dhe se është e lumtur që ato do të kthehen të japin mësim në shtator në shkollat përkatëse, pasi janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur. Këngëtarja e njohur thekson se dy mësueset janë përgjigjja më e mirë për dembelët në Shqipëri, që nuk duan të punojnë pasi kush e do punën dhe familjen gjen mundësinë për të çuar të ardhura në shtëpi.


Ministrja Evis Kushi ka falenderuar këngëtaren që e ka ndarë këtë përjetim të ngrohtë me publikun shqiptar.

Nuk e di se si mund të quhet dhimbja sukses dhe shembull për t’u ndjekur. Flitet për dy mësuese, për dy nëna, për dy gra. Nga shtatori në qeshor këto dy mësuese, dy nëna dhe dy gra , janë ngritur herët në mëngjes, kanë bërë gati fëmijët për shkollë, kanë bërë drekën dhe janë nisur për në punë. Kanë dhënë orët e mësimit në klasat përkatëse dhe janë kthyer në shtëpi. Kanë bërë punët e shtëpisë, kanë ndihmuar fëmijët me detyrat dhe kur e gjithë familja ka rënë në gjumë, kanë korrigjuar provimet dhe kanë bërë gati ditarin për të nesërmen. Kjo anatomi e ditës ka vazhduar që nga shtatori deri në qeshor. Në qeshor kanë veshur kostumin e kuzhinieres dhe kanë filluar të përgatisin vaktet për pushuesit në një kompleks turistik në Lezhë, ku me një përllogaritje të thjeshtë u bie të punojnë të paktën 12 orë në ditë.Kostumi i kuzhineres do të hiqet në shtator. Në shtator mësueset kthehen në shkollë.

E gjithë kjo panoramë nga këngëtarja Aurela Gace dhe Evis Kushi quhet sukses, ndërkohë që është dhimbje në vetë të parë, pasi kemi të bëjmë me dy mësuese, dy nëna dhe dy gra, që nuk kanë mundësi të pushojnë. Nuk ia lejojnë dot vetes, që qoftë edhe për një javë të vetme të mos bëjnë asgjë dhe të shplodhen diku buzë bregut të detit. Nga lodhja mendore e shkollës shkojnë te lodhja fizike e kuzhinës për t’u rikthyer përsëri te lodhja mendore e shkollës. Lodhjet i lënë stafetën njëra – tjetrës dhe kjo stafetë serviret si shembull suksesi. Natyrshëm lind pyetja: Sa fuqi dhe sa energji do të kenë këto mësuese për të dhënë mësim pasi kanë punuar 12 orë në kuzhinë gjatë sezonit të verës?! Do të jetë një sforcim i tejskajshëm për to se mendja nuk ka pushuar dhe trupi është rraskapitur.

Duhet një guxim i shfrenuar që dhimbjen ta quash sukses, sikundër duhet dyfish guxim të pohosh se shqiptarët punojnë veçse kur emigrojnë, pasi në Shqipëri nuk zënë punë me dorë duke marrë shembull mësueset.

Aurela Gace dhe Evis Kushi duhet të mësojnë se jashtë vendit të ardhurat mujore për profesionin e nderuar të mësuesit janë krejt të dinjitetshme dhe i lejojnë një mësuesi të ripërtërijë mendjen, pas një viti të gjatë shkollor dhe arsyeja pse shqiptarët emigrojnë qëndron te fakti që pas një viti të gjatë pune, kushdo i lejon vetes një periudhë pushimi dhe nuk tjetërsohet nga mësuese në kuzhinere.

Sipas logjikës së këngëtares dhe ministres edhe po pamë një pedagog universiteti duke shitur akullore, mund të themi se punë ka për kë do të punojë duke harruar se dikush investon vite të tëra në studime në një fushë të caktuar për të qenë përfaqësues i asaj fushe dhe jo për t’u tjetërsuar nga mësues në kuzhiner.

Post Scriptum- Dhimbja nuk është sukes. Dhimbja është dhimbje. /Nga Elona CASLLI, publikuar në Facebook/