“Ka shkelur në një pikë nevralgjike, nuk e lanë as të…”, gazetarja Klodiana Lala: A ka lidhje zhdukja e Martinajt me shkarkimin e Nanos?

Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se dyshon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u shkarkua nga kjo detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave pasi diku “ka shkelur në kallo”.

Lala tha se Gledis Nanos nuk iu dha kohë që të përfundonte reformën që kishte nisur në polici, për ta pastruar nga efektivët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.


“Zoti Nano ka shkelur diku, në një pikë nevralgjike që i erdhi shkarkimi. Nëse Nano nuk i kishte përmbushur objektivat, a nuk i ka përmbushur edhe ministri i Brendshëm, objektivat? Nëse nuk pastrohet policia nga kriminelët dhe militantët, problemi do të mbetet i njëjtë për policinë pavarësisht emrit të drejtorit të ri. Për zotin Nano kam menduar se mund të sillte një frymë të re në policinë e shtetit.

Kam menduar se nga mbështetja që vinte nga ndërkombëtarët ai mund të sillte një ndryshim. Por kam gabuar, se nuk kam marrë në konsideratë politikën shqiptare, që ia pret kokën atyre që tentojnë të ngrihen mbi palët. Pavarësisht se kishte një lloj sigurie nga ndërkombëtarët, kam harruar se politika për interesat e veta, e nxjerr jashtë loje politikën ndërkombëtare.

Ne nuk patëm mundësi të shihnim realisht se ç’ishte në gjendje të bënte Gledis Nano.

Pa u mbushur 11 muaj, ai nuk kishte përfunduar emërimet e drejtorëve dhe rokadën në polici. Ishte në fazën kur po finalizonte largimin e zyrtarëve të policisë së lidhur me krimin dhe të korruptuar. Se ne kemi fakte. Kemi Jeton Lamin që shoqëronte Ervis Martinaj. Kishim ngjarjen e rëndë ku zyrtari i policisë teksa lëvizte me skaf goditi një vajzë të vogël në Potam. Unë besoj se Gledis Nano ka shkelur diku në kallo. Ne kemi pasur më herët ngjarje shumë të rënda. U vra Skerdilajd Konomi dhe nuk u shkarkua apo dorëhoq Drejtori i Përgjithshëm. Patëm kanabizim në kohën e zotit Çako, por ai nuk u largua.

Me thënë të drejtën unë mendoj se në mënyrë direkte apo indirekte mund të lidhet edhe me këtë pikë shkarkimi i Nanos. Nuk kam prova por unë dyshoj për këtë. Po të shikosh kemi nga njëra anë zhdukjen e Ervis Martinaj. Sapo flitet për zhdukjen e tij shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ka diçka përtej mënyrës sesi doli lajmi. Pati një arkitekt për mënyrën sesi po sillej me median për shkarkimin e zotit Nano”, tha Lala, në rubrikën “Opinion”, në News24.