NGA FATJON GJINAJ – Finalizohet operacioni i koduar “Gledis Nano”, bien në rrjetë qytetarët…

Operacioni i koduar “Gledis Nano” u finalizua me shkarkimin e Gledis Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pak javë pas nisjes së aksioneve diku nën rrogoz dhe diku hapur fare, të Çuçit dhe çuçve në Kupolë, të cilët ndonjëherë më shumë se asnjëherë i bëri bashkë ‘hetimi’ i përgjegjësive të eprorit për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi.

Pa u bërë 11 muaj, njeriu që erdhi si një risi dhe gjetje e goditur për të drejtuar mbi 12 mijë njerëz me uniformë, ‘sharra ngeci në gozhdë’. Planeve qeveritare u duhej njeriu, mes tyre zgjedhjet e ardhshme, modeli i atij shefit ushtar të qeverisë që ia komunikonte ministrit (sot në burg se “jam ushtari yt”), besnikërinë ,,, e jo betimit për t’i shërbyer shoqërisë; fatin e lojërave të fatit dhe pronarit të fatit të lojërave që s’dihet nëse është sot për sot një i pafat apo fatlum që ka vendosur të transferojë fatin duke e bërë këtë të fundit të besojë tek ai dhe jo e kundërta, ai t’i nështrohej fatit.


Gledis Nano ra në një rrjetë të mirkoordinuar, ai ishte në dijeni dhe luajti lojën e tij, por kjo rrjetë vetëm sa e nxori nga zyra e drejtorit (ndoshta edhe kaq ishte qëllimi), kështu, i buzëqeshur e me dorën lart duke përshëndetur ata që diti të komunikonte me ta, të mos binte as në rrjetën e disa prej tyre, as të mos mbante qëndrime në të tilla raste kur edhe hidheshin kundër tij.

Por ‘peshku’ Gledis Nano nuk është një engjëll, dhe këtë e di edhe ai vetë që e dinë njohësit e tij. Ndonëse rënia nis me përpjekjet e po tij për të bërë diferencën e sjellë një energji tjetër, rrethanat dhe menaxhimi i tyre e lëshuan në ‘gojën e ujkut’, rrethana dyshuese herë-herë ndoshta duke mos e tundur të pasmen nga kolltuku për zbardhjen e një morie ngjarjesh kriminale, se fundja Gledisi do e hante, që lëpinte buzët që ditën kur drejtuesi i ri i kupolës, nderohej me ceremoni zyrtare në ngjitje të godinës blu, për t’u futur në zyrën e numrit një.

U pranua nga të gjithë si ardhje dhe nuk kënaqi askënd, madje as ata që e mbështetën. Udhëtoi në shumë vende, takoi shumë partner, u mbështet nga faktori i jashtëm, por ‘I Zoti e di se ku i pikon çatia’, një çati që s’ishte gati për një model, por për një ujk ose një dhelpër që për të mbijetuar o duhej të ‘hante koka’, o duhej të kërcente vallen e qeverisë dhe interesave të saj. Një njeri pa kulisa në kupolë, i freskët dhe i përkrahur, në disa raste prej sedrës me ‘rrugën e Elbasanit’, nuk do ta vendoste gjithçka nën kontroll. Eprori i tij do të falenderonte e përgëzonte sektor të ndryshëm në Policinë e Shtetit, për nja dy arrestime, por jo vetë Policinë e Shtetit. Dhe imagjinoni, Gledis Nano nuk qe për asnjë ditë i unifikuar me këto segmente, por në disa raste kundër tij, e në disa raste i mospërfillur nga trimoshë departamentesh e sektorësh, patronazhistë e ortakë të klaneve, po… edhe kriminale.

Nga sot Gledis Nano, mund të jetë ‘askushi’ në jetën publike, madje mund të shkojë drejt SHBA-ve si një ekspert fjala bie, i çështjeve të sigurisë dhe antiterrorit. Por ai la një gjurmë përballë po themi të gjitha dështimeve që çuan në shkarkimin e tij të drejtë, nuk u përlye, nuk u përfol, nuk u nënshtrua.

Operacioni “Gledis Nano” është një operacion i dështuar, sepse pa dashur të paragjykoj, shërbeu vetëm për propagandë dhe interesa që s’kanë të bëjnë me ata që duhej të ishin të parët që do t’iu shërbente, qytetarët. Janë ata që përballen me krimin, drogën, pabarazinë, korrupsionin, diskriminimin, pasigurinë, aksidentet…

Operacioni i koduar “Gledis Nano” është vetëm një shembull i operacioneve të vazhdueshme që dita-ditës po e çojnë këtë vend në një dëshpërim dhe pashpresë kolosale e të parikuperushme. Mbi të gjitha ndoshta Gledis Nano është pjesë e këtij operacioni, por ajo që u është hedhur për të grirë shqiptarët, është precedent, dhe i rrezikshëm. Fundja askujt nuk po i dhemb fundshpina për askënd të këtyre niveleve, por për një realitet të frikshëm, si i atyre mësueseve që ministrja i promovonte si shembull pune që shfrytëzuan 3 muajt e pushimeve për të shërbyer në sektorin turistik në një restorant në Shëngjin, kur në fakt ata nuk ishin shembull pune por mjerimi që i shtyn të punojnë edhe në forma të tilla. /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar/