OPINION – Loja e rrezikshme deri në diskriminim nga qeveria me “non grata”- n e Berishës dhe çeshtja “Mirakaj”…

Shqipëria është shtet i pavarur të paktën që nga viti 1912! Sivjet festohet 110 vjetori dhe padyshim, krenaria është e ligjshme. Pavarësisht problematikave, të paktën prej 32 vitesh. jemi fitur në rrugën e kombeve të përparuara. Se në cilin kilometër të kësaj rruge nuk mund ta themi, por disa standarde duhet të ekzistojnë apo të zbatohen. Parimi themelor, Kushtetuta është ligji më i rëndësishëm i Republikës së Shqipërisë. Të paktën për “elitën” e këtij vendi, 140 deputetët e Kuvendit, ai duhet të zbatohet.

Sali Berisha është shpallur prej rreth një viti “non grata” nga SHBA- të por nga 10 shtator 2021, është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kush ka apo duhet të ketë më peshë, Kushtetuta e vendit apo një vendim i DASH?! Nga 10 shtator 2021, Berisha nuk është penguar për asnjë moment të ushtrojë detyrën e deputetit, të shfrytëzojë privilegjet e këtij pozicioni. Kur e ka parë të arsyeshme, ka votuar pro apo kundër dhe vazhdon të firmosë në bordero si të gjithë deputetët e tjerë të Kuvendit.


Ditët e fundit, çeshtja “non grata” e Berishës po interpretohet në mënyrë të rrezikshme nga segmente të qeverisjes. Si deputet i Kuvendit, Berisha ka vënë firmën e tij bashkë me 28 deputetë të tjerë në mbështetje të Simon Mirakës së antar i Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Është një veprim i natyrshëm, në vullnetin e vetë Berishës si deputet dhe kur vetë Mirakaj, shprehet i nderuar për mbështetjen e marrë me firmë nga ish- kryeministri i vendit.

Në një bashkëpunim të turpshëm dhe publik, Alibeaj- gjoja i persekutuar dhe Taulant Balla kanë kushtëzuar futjen në votimit të emrit të Mirakjt dhe miratimin e tij eventual, me tërheqjen e firmës së Berishës nga mbështetja për kandidimin. Sigurisht është një lojë e pisët politike, por për Komisionerin Kundër Diskriminimit, ky është dhe duhet të jetë vetëm diskriminim i pastër. Madje, jo ndaj një qytetari të thjeshtë por një deputeti të Kuvendit siç është Sali Berisha.

Kush është Simon Mirakaj, a e meriton ai të jetë pjesë e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, e kanë përcaktuar para shumë viteve vetë socialistët që e mbështetën me votat e tyre. Sivjet, të njëjtin person, për të njëjtin pozicion, kërkojnë ta përdorin për diversion jo thjesht e vetëm nda opozitës por edhe vetë Kushtetutës e ligjeve të vendit. Megjithatë, në një veprim të paprecedent, kjo shumicë që qeveris vendin nga 2013- a, e përjashtoi të persekutuarin Simon Mirakaj nga kandidimi. Edhe pse kishte 28 firmat e deputetëve. Sepse mbi to, mbi ligjin, doli vullneti i dyshes Alibeaj- Balla.

Sot zyrtarisht, pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që njeh Kuvendin e 11 dhjetor 2021 dhe Komisionin e Rithemelimit, Sali Berisha është kryetar i PD- së, rrjedhimisht lideri i opozitës së vendit. Kushtetuta e ligjet parashikojnë një trajtim të veçantë për liderin e opozitës, i cili konsiderohet si kudo në botë edhe “kryeministër hije”. Nëse edhe Gjykata e Apelit, para të cilës është ankimuar Alibeaj, do të njohë Berishën si kryera të PD- së, çfarë do të ndodhë? Përësri nuk do ta njohë Rama, Balla apo Alibeaj? Jemi republikë në themel të të cilës është Kushtetuat e ligjet apo një vendim i një shteti të huaj, pavarësisht se aleat strategjik shumë i rëndësishëm?!

Një ditë të bukur, SHBA- së mund ti lindë ideja të shpallë “non grata” edhe një president, kryeministër, ministër apo një zyrtar tjetër në detyrë. Çfarë duhet të bëjë opozita, të mos njohë dhe të nisë luftën me armë në dorë për të përmushur kauzën e ardhur nga një shtet i huaj?! Kjo qeveri, kjo mazhorancë, duhet ta ndajë mendjen për disa gjëra.

Mund të shkojmë në një moment, kur kjo shumicë, kjo qeveri e ky kryeministër, mund të mos njohë edhe ligje të miratuara me votën e deputetit Berisha, mund të mos njohë as zgjedhje në poste me votën e tij. Kjo është vertetë e rrezikshme jo vetëm për të sotmen por edhe të nesermen e këtij vendi, e kësaj palo- demokracie 32 vjeçare.

Pavarësisht pushteteve të akumuluar në duart e saj, është e pamundur të emërojë opozitën apo liderin e saj. Kjo qeveri, ky kryeministër, është betuar para Kushtetutës, me dorën mbi të, duke premtuar të zbatojë ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare dhe jo vendime të kancelarive të huaja. Kjo mazhorancë duhet të ndajë mendjen. Berisha mund të largohet vetëm ligjërisht por sot nuk ka asnjë ligj që ia mundëson këtë ëndërr Edi Ramës, Alibeaj, Bardhit, Bashës apo ndonjë tjetri. Për këtë mandat nuk bëhet gjë, Berisha aty do të jetë. Nëse duan ta largojnë, të miratojnë një ligj që “non gratat” nuk lejohen të kandidojnë për deputet. Por edhe atëherë, me shumë mundësi, nuk do të kenë sukses.

Në demokraci ka një rregull universal, të vjetër sa vetë kjo shoqëri njerëzore. Mund të zgjedhësh aleatin por jo kundërshtarin. As në fushën e betejës dhe as në skakierën politike.  /Nga Blerti DELIJA/