Partia Demokratike dhe LSI, si pjesë e Këshillit Politik, kanë zyrtarizuar projektin e tyre për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërsa shumë analistë kritikonin mungesën e alternativës opozitare për projektin e PS-së për “hapjen e listave”, ekspertët po përgatisnin draftin që tanimë është zyrtar.
Është një draft që shkon në të njëjtën linjë me synimet e opozitës parlamentare. Eksponentë të saj, nga Hajdari, Gjoni e Murrizi, kanë kërkuar hapje listash 100%. Këtë ofron edhe drafti i paraqitur nga PD- ja: Kush merr më shumë vota preferenciale, merr mandatin e parë e kështu me rradhë. Pra, respektim në maksimum i votës nominale të qytetarëve.
Drafti i Opozitës së Bashkuar, “i mbyll gojën” Edi Ramës edhe për çështje të përfaqësimit gjinor. Drafti e përcakton qartë se nëse kuota gjinore nuk arrin 30%, KQZ ka të drejtë të plotësojë këtë përqindje me mra nga gjinia e nënpërfaqësuar. Por edhe brenda kësaj gjinie, përfiton mandat ai që ka më shumë vota preferenciale.
Dhe “qershia mbi tortë” e draftit të Opozitës së Bashkuar, është sugjerimi që, nëse PS-ja nuk e pranon formulën, t’ja dërgojë për shqyrtim OSBE-ODIHR-it, duke i përfshirë në opiniondhënie. Me këtë draft, për reformën zgjedhore, Edi Rama është para një “shah mat” të pashmangshëm.
Teksa drafti i Opozitës së Bashkuar, zgjidh më së miri përfaqësimin gjinor, argumentet e PS- së për përfaqësim fetar apo social, nuk mund të gjenë bazë as në legjislacionin shqiptar dhe as në praktikat ndërkombëtare. Edi Rama është në një pozicion jo të favorizuar pas publikimit të draftit nga PD- LSI. Mungojnë argumentat për të bindur shqiptarët, aq më pak, ndërkombëtarët.
Pas listave të hapura, ku praktikisht e mbyll si çështje drafti i Opozitës së Bashkuar, beteja e vetme është për koalicionet parazgjedhore. Edi Rama kërkon ti eleminojë, opozita i kërkon sipas formulës së vitit 2003. Logjikisht, janë partitë ata që unifikohen në një koalicion parazgjedhor dhe nuk janë individët, ashtu siç kërkon Rama ti përfshijë të gjithë bashkë në një listë emërore. Vetëm kështu, partitë mund të masin forcën e tyre reale, përmes emrave që do të kandidojnë, por fillimisht vota jepet për subjektin e brenda këtij subjekti, votë preferenciale për kandidatin.
Rasti më ekselent, është ai i zgjedhjeve të vitit 2017, ku nuk u lejuan kolaicione. Shpëtim Idrizi siguroi vota për mandat deputeti në Tiranë por nuk arriti pragun kombëtar. Si rrjedhojë, gjithë ato vota, të cilat përkthehen në vullnet të mbi 10 mijë votuesve, u shumëzuan me zero. Nëse do të ishin brenda një koalicioni parazgjedhor, do të prodhonin mandat përfaqësues, në rastin më të keq, në favor të një partie aleate me PDIU.
Në fakt, Edi Rama ka bërë disa llogari paraprake. Duke penguar koalicionet zgjedhore, mendon se PS del forcë e parë politike me 25 prill. Me “metoda” tashmë të njohura, ëndërron të sigurojë aleatë për të qeverisur edhe një mandat tjetër. Të gjitha sondazhet deri tani, tregojnë qartë se ai është i humbur, por edhe nëse përpiqet të gjejë “aleatë”, do ta ketë të pamundur. Dhe nuk është vetëm çështje e Opozitës së Bashkuar pamundësimi i mandatit të tretë. Atë ia refuzojnë pikë së pari shqiptarët, madje të parët fare, vetë socialistët që si gjithë shqiptarët për 7 vite e kanë parë se si qeveris Rilindja. Dhe vetëm me votat e Rilindjes dhe të “rilindësve”, Edi Rama është minirancë. E thellë madje! /Nga Blerti DELIJA/