Ishte viti 1993 kur u krijua Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me iniciativën e 10 kryetarëve të bashkive të kohës. Në vitin 2010, u krijua edhe Shoqata për Autononimë Vendore, më së shumti si kundërpeshë e SHBSH- së në konceptin e përkatësisë politike të majtë të një pjesë që kryetarëve të bashkive në vend. Po të nisesh thjeshtë dhe vetëm nga logot e dy shoqatave, kupton ngjashmërinë e natyrshme të tyre.
Procesi i nisur prej javësh, ka përfunduar tashmë me një vendim gjykate, që praktikisht, ka shkrirë Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, e para e kësaj kategorie në vend, duke lënë të vetme Shoqatën për Autonominë Vendore e krijuar 17 vite pas të parësh dhe qartazi me synime politike. Sot, natyrshëm, edhe pse me vonesë, me shumë të drejtë, ka reaguar kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia, i vetmi i PD- së në 61 kryebashkiakët aktualë të vendit.
Reagimi i Spahisë mund të konsiderohet i vonuar siç edhe i PD- së, që deri në këto momente nuk ka reaguar akoma. Sepse reagimet pas faktit të kryer, siç është vendimi i gjykatës për shkrirjen e SHBSH- së, mund të atakohen vetë në gjykata, pasi opinioni vendas, ai i huaj, i organizmave europiane për autonominë vendore, me gjasë nuk mund të ndërhyjnë teksa çeshtja është dorën e drejtësisë.
Pas zgjedhjeve të 30 qershor 2019, kur të gjithë kryebashkiakët ishin të PS- së, u krijua një situatë e pazakontë edhe tek SHBSH-ja. Praktikisht, pas marrjes së pushtetit nga kryebashkiakët e majtë, në SHBSH kishte mbetur vetëm Bashkia e Shkodrës dhe Voltana Ademi. Pikërisht në këtë cilësi Ademi u paraqit në Gjykatën Kushtetuese për çeshtjen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, u legjitimua dhe i shkoi deri në fund procesit, pavarësisht vendimit.
Po ashtu, e vetme, pa gati aspak përkrahje nga PD- ja, Voltana Ademi rezistoi me të gjitha mjetet juridike- ligjore, për të mos lejuar që zërin e bashkuar të disa bashkive që mbase në 2023- in mund të mos jenë në një frekuencë me 60 bashkitë aktuale, të mos e linte të shuhej. Pavarësisht rezervave ligjore, gjykatat i kaluan drejtimin e SHBSH- së Pjerin Ndreut, ndërsa deklaronte mëse një herë se nuk synonte shkrirjen apo bashkimin me SHAV të kryesuar nga Veliaj.
E në fakt, ashtu siç e kishte paralajmëruar jo pak herë Voltana Ademi, kështu ndodhi. Tashmë SHBSH- ja nuk ekziston në dhe rruga e vetme mbetet ajo e dyerve të gjykatave, në një proces post factum, fundi i të cilit nuk është e vështirë të hamendësohet. Në 2023- in, shpresohet se jo të gjitha bashkitë të kenë të njejtën ngjyrë si ato 60 aktualet. Mund të jenë disa, por me gjasë nuk do të jenë më shumë se gjysma për të ndryshuar realitetin e qeverisjes vendore.
Kështu, zëri i bashkive opozitare, nuk mund të dëgjohet më i unifikuar. Ato do të flasin me gojën e bashkive të majta, që me gjasë do të jenë shumicë në SHAV- edhe pas zgjedhjeve vendore të 2023- it. Nga ana tjetër, edhe nëse do të plotësohet numri minimal i antarëve për të krijuar një shoqatë të re, do të duhet kohë, mund e përkrahje nga brenda e jashtë vendit, për të arritur në nivelin e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e krijuar e para në vend më 1993- in.
Me gjasë, janë të pakët ata që e kuptojnë rëndësinë e ekzistencës që një shoqate të bashkive që nuk është nën hyqmin e qeverisjes qendrore. Kur ta kuptojnë, me shumë mundësi do të jetë vonë. Për bashkitë, kryebashkiakët e mbi të gjitha për qytetarët. /ShkodraWeb/