Me 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë, mes tyre shumë shkodranë, dhanë sinjalin e parë të rëndësishëm se diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit të saj. Po i vinte fundi sundimit 45 vjeçar të shqiptarëve nga klika më e egër që ka njohur ky vend.
Shqiptarët, në kërkim të lirisë, demokracisë e vlerave përendimore, iu drejtuan të vetmeve “oaze” në këtë vend, ambasadave të huaja. Klika në fuqi e ndjente fundin dhe përdori të gjitha mënyrat, por pa ia arritur të ndalë atë që u kurorëzua me 22 mars 1992, fitoren e Demokracisë edhe në Shqipëri.
Pas 30 viteve, shqiptarët fatkeqësisht, vazhdojnë të shohin si zgjidhje largimin nga ky vend. Sot në qeverisje, prej 7 vitesh, janë bijtë e etërve, ata që detyruan shqiptarët të kërkojnë lirinë e demokracinë në perëndim.
Sot bijtë e etërve, po detyrojnë shqiptarët të marrin rrugët e botës për shkaqe ekonomike por edhe për pasigurinë e jetës në këtë vend. Të gjitha burimet financiare, të ardhurat, të mirat natyrore të këtij vendi, janë në shfrytëzimin e bijve të etërve të 1990-ës dhe oligarkëve të lidhur me ta
Bashkëpunimi i hapur i kësaj qeverie me klane dhe elementë krímìnalë, i kanë lënë shqiptarët të pambrojtur dhe pa shpresë për të ardhmen. Jeta e tyre është në rrezik në çdo moment, të ndodhur në mes një qeverie të papërgjegjshme dhe krìmít të lidhur me këtë qeveri, në të gjitha nivelet.
Sot është momenti të reflektojmë të gjithë bashkë. A mund të jetë rastësi që pas 30 viteve nga “eksodi i ambasadave”, shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë pasivisht? A është rastësi që si atëherë edhe sot, prej shtatë vitesh, në pushtet janë i njëjti “brumë”, me ndryshimin e vetëm nga etër të bijtë e tyre? Mendoj se nuk është rastësi! Qindramijëra shqiptarë që lanë vendlindjen e tyre, janë prova më e qartë!
Kjo është një arsye e fortë se përse, të gjithë ne, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohemi për ti shkurtuar orët kësaj palo- qeverisje, zgjatim 30 vjeçar i qeverisë së fundit komuniste që pati ky vend! /Nga Voltana ADEMI/